Nga Ylli Pata

Prej disa vitesh Lulzim Basha dhe lidershipi i Partisë Demokratike kanë konsoliduar një diskurs politik jakobin, ku përdorin frazën “pranga”, duke premtuar se do të arrestohen zyrtarë të mazhorancës që ata i akuzojnë për krim, korrupsion, abuzime të tmerrshme etj. Një diskurs që u përsërit edhe dje pas ngjarjeve të Shkodrës, ku pas konstituimit të Këshillit Bashkiak të njësisë më të rëndësishme vendore në veri të vendit, u premtua se opozita, pra PD, do të prangoste ata që Basha i cilëson si njerëz të krimit.

Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015, ku me mbështetjen e Ambasadës amerikane dhe Bashkimit Europian, PD fitoi një instrument shumë të fuqishëm politik, siç është ligji drakonian i dekriminalizimit, i cili largon çdo zyrtar që ka shkelur qoftë edhe njëherë në një stacion policie, jo vetëm në Shqipëri, por çdo vend të Bashkimit Europian apo SHBA. Një instrument politik, i cili i dha një aset të rëndësishëm opozitës, pasi sulmoi politikisht disa eksponentë të rëndësishëm të mazhorancës, duke qenë deputetë apo edhe kryetarë të rëndësishëm bashkish.

Pikërisht ky instrument politik ju dha Partisë Demokratike, edhe si një mundësi për të mbështetur një aksion gjithashtu të rëndësishëm, madje më i rëndësishëm se sa dekriminalizimi, siç ishte reforma në drejtësi, si një instrument për të pastruar pallatin e drejtësisë, i cili më pas do të pastrojë të mëdhenjtë e politikës, apo “Peshqit e mëdhenj”, siç i cilësonte ambasadori amerikan Donald Lu.

Por ndryshe nga dekriminalizimi, Lulzim Basha kreu një rezistencë të fuqishme, madje të egër, ndaj reformës në drejtësi. Refuzoi vettingun si instrument dhe monitorimin ndërkombëtar, duke nxjerrë teza sovraniste, e më pas dërgoi në Kushtetuese disa prej ligjeve më të rëndësishme të reformës, duke nisur nga vettingu dhe më pas të gjitha ligjet e hartuara nga Euralius dhe Opdat, si pjesë organike e zbatimit të reformës në drejtësi.

Në pranverën e 2017-s, kur duhet të ngriheshin trupat e vettingut, pasi kishte siguruar të drejtën e vetos nga pakti Meta-Basha-Lu-Vllahutin, me ndërmjetësimin telefonik të komisionerit Hahn, që në verën e 2016-s, PD pengoi ngritjen e tyre.

U desh ardhja e një zyrtari të lartë amerikan si Hoyt Brian Yee, i cili përveçse nxorri Bashën nga çadra, e bindi të rikthehet për të miratuar komisionet e vettingut.

Ndërkaq, me anë të manovrave anësore, PD dhe LSI shtynë juristët pranë tyre që të mos paraqisnin kandidaturat për trupat e vettingut, çka detyroi Ambasadën e SHBA dhe BE-së që të nxisnin aplikime masive për këto institucione nga juristë edhe jashtë organeve të drejtësisë.

Në vjeshtën e 2017-s, pas humbjes keqas në zgjedhje, PD u investua fuqishëm për dosjen “Tahiri,”, e cila doli pas hetimeve të grupit Habilaj nga ana e Prokurorisë së Katania-s. Lulzim Basha kërkoi publikisht arrestimin e Saimir Tahirit. Dhe ja kërkoi kryeprokurorit të asaj kohe, Adriatik Llallës, i cili kishte me ligjin e asaj kohe kompetenca të plota.

Prokuroria, pas qëndrimit të Bashës, kërkoi menjëherë arrestimin e Saimir Tahirit, gjë që mazhoranca nuk dha leje, por duke kërkuar që të hetohet plotësisht ish-ministri i tyre, i cili u largua nga të gjitha pozicionet drejtuese në PS, dhe më pas u largua edhe si parlamentar.

Por në fund të vjeshtës, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, denoncuan fuqishëm kryeprokurorin e atëhershëm Adriatik Llalla dhe nuk lejuan që ai të zgjaste mandatin e tij, ndërkohë që i kishte mbaruar, Basha doli hapur në krah të Llallës. Opdat dhe Euralius, dy instrumente të SHBA dhe BE që punojnë ngushtë për reformën në drejtësi, kërkuan zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm.

Rama ftoi Bashën të hynte në proces për të propozuar një emër për prokurorin e Përgjithshëm. Kreu i PD-së nuk pranoi, duke e cilësuar pazar. Prej largimit të Llallës, PD nuk ka njohur asnjë ditë Prokurorinë e Përgjithshme, atë të Krimeve të Rënda dhe organet e tjera të institucionit të akuzës, duke i deligjitimuar të gjithë zyrtarët e institucionit.

Po kush do të arrestojë sipas Bashës zyrtarët e korruptuar? Kush do të përpilojë dosjet për t’i dërguar në gjykatë? Askush, përveçse Prokurorisë, sado problem që të ketë ai institucion.

Një opozitë, me anë të mekanizmave të saj në Kuvend pikërisht synon ta forcojë e pastrojë një institucion me anë të ligjeve apo personave që propozon për këto institucione.

Ndryshe çdo veprim i saj, ose do të jetë i pabesueshëm, ose gjysëm i besueshëm, ose jo shumë i besueshëm për seriozitetin e shtrimit të tyre.

Në disa raste PD, me anë të njerëzve të saj ka gjetur dhe publikuar ngjarje të rënda, që kanë rezultuar si skandale, kryesisht nga deputeti Agron Shehaj, si rasti i Unazës së Re. Të cilat janë pritur nga publiku me interes dhe ka pasur një alarm e presion për t’i çuar në fund.

Ajo që mund të bëjë një opozitë është pikërisht presioni apo edhe kontributi për të shtyrë hetimet. Qoftë edhe duke dërguar dosje të plota në Prokurori, nëse ka dijeni dhe mundësi prej rrjetit të juristëve apo burimeve që një opozitë gjithmonë gjen akses.

Partia Demokratike, apo çdo forcë politike, qoftë edhe me mbështetje të gjerë, nuk mund të ketë monopolin apo atributin e së vërtetës në një akuzë apo fakt që ngre, ajo thjesht nxit apo shtyn një veprim institucional.

Por në historinë e saj, PD ka përdorur pikërisht retorikën jakobine e në të vërtetë nuk ka kryer atë që ka thënë.

Në vitin 1992, kur mori pushtetin në mënyrë plebishitare, Partia Demokratike nuk hartoi e miratoi dot një Kushtetutë, çka do të ishte themeli i Republikës së re postkomuniste.

Në vitin 1991, kur PPSH e Ramiz Alisë propozoi një draft Kushtetute, PD e hodhi poshtë, duke kërkuar që të miratoheshin vetëm disa dispozita kushtetuese me kusht që pas një viti të hartohet me konsensus një ligj themeltar i ri. Nuk ndodhi.

Në opozitën 1997-2005, Sali Berisha akuzoi mënxyrisht gjithë ministrat dhe zyrtarët socialistë, si mamuthë korrupsioni e të lidhur me krimin, por kur erdhi në pushtet nuk dërgoi në Prokurori, edhe kur e mori vetë këtë institucion, asnjë dosje ndaj zyrtarëve të PS-së.

Madje në një konferencë me Fatos Nanon, Berisha tha se akuzat ndaj tij ishin thjshtë luftë politike.

E kështu me radhë për të ardhur pas 2016-s, kur PD u përplas edhe me SHBA e BE-në për të pastruar drejtësinë nga njerëzit e lidhur me zyrtarët e korruptuar.

Nuk ka rrugë tjetër në një sistem si i yni përveç institucioneve për të dërguar akuzat e për të shtyrë hetimet.

Përndryshe, prangat që thotë Lulzim Basha janë thjeshtë prej letre, që grisen dhe hidhen në kosh sapo largohen kamerat në sallën bosh të konferencave të shtypit të selisë, që dikur ka qenë Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore.

TemA