Pas eurogolit në miqësoren e fundit të Juventusit në “Nereo Roço” të Triestes ndaj Triestinës, Paolo Dibala ka bërë një postim në profilin e tij në Instagram duke ndezur edhe më shumë dashurinë e popullit juventin ndaj tij. Gjatë javëve të fundit është folur shumë për një largim të sulmuesit argjentinas, por tifozët nuk e kanë dashur diçka të tillë, ndaj ky postim me mbishkrimin “Fino alla fine”, një nga motot e juventinëve, ka rritur shpresat për një qëndrim të Dibalës në Torino.

Dhe kështu duket se do të jetë. Ndaj Sarri ka një mision të dyfishtë: t’i kthejë Dibalës dëshirën për të shkëlyqer, që i ishte shuar sezonin e shkuar, dhe t’i japë fushë veprimi që ai të bashkëjetojë me Ronaldon në repart. Teorikisht janë kaq të ndryshëm. Sa herë nuk është CR7 në fushë, shkëlqen argjentinasi. Kjo ndodhte dhe me Alegrin, ndaj Sarri ka një detyrë të vështirë.