Portalet e kreut të shtetit, Ilir Meta kanë goditur fort kreun e opozitës, Lulzim Basha, për “tradhtinë” që po i bën Metës, duke mos e përkrahur për akuzat ndaj Soros. Pas publikimit ekskluziv të lajmit në Realstory mbi një dokument të brendshëm të Partisë Demokratike, të shpërndarë anëtarëve të Kryesisë dhe ish deputetëve të Grupit Parlamentar, të cilët orientohen për të mos mbajtur qëndrime ndaj Soros, duke u distancuar nga sulmet e Metës ndaj miliarderit amerikan, portalet e Metës i kanë rikujtuar Bashës intervistën në median prestigjioze amerikane Breitbart News, ku kreu i opozitës ka sulmuar miliarderin, që sipas këtyre portaleve, i hap aq shumë probleme Xhorxh Sorosit në administratën amerikane.

“Gjatë një interviste për Breitbart news në 29 mars 2017, Basha deklaroi se: beson që Rama është investimi kryesor i George Sorosit në Shqipëri dhe Ballkan. Ai pohoi se mbështetja e tij për Presidentin Trump e kanë bërë shënjestër të përbaltjes nga organizata e Sorosit: ‘Jam sulmuar ashpër nga ai e njerëzit e tij dhe gjithashtu nga media ndërkombëtare sepse jam mbështetës i Trump”, rikujtojnë portalet pranë kreut të shtetit deklaratat e Bashës.

Këto portale pranojnë se ky dokument është shpërndarë në media nga Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe për “tradhtinë” që Partia Demokratike po i bën Metës, duke kërkuar që gjithë eksponentët e PD të mos prekin miliarderin Soros.

Nga ky sulm që portalet pranë kreut të shtetit i bëjnë liderit demokrat duket se Soros po ndajnë thellësisht Bashën nga Meta, si një përpjekje e parë serioze e liderit demokrat për të rregulluar raportet me ndërkombëtarët, veçanërisht me amerikanët.

Ky distancim u paralajmërua më herët edhe nga Meta, i cili me mesazhe të koduara, la të nënkuptohej se kreu i PD po negocionte me mazhorancën nëpërmjet ndërkombëtarëve, duke e nxjerrë kreun e shtetit jashtë loje, që tashmë nëpërmjet portaleve të tij, i ka rikujtuar Bashës akuzat ndaj Sorosit, ndërkohë që pas deklaratave të Metës për “deep state”, ku ai akuzonte Sorosin se ka kapur shtetin në bashkëpunim me Ramën dhe veçanërisht reformën në drejtësi, nuk ka pasur asnjë qëndrim publik të eksponentëve të PD-së në lidhje me akuzat e presidentit Meta.

Dokument i shpërndarë nga lidershipi i PD-së për strukturat e PD dhe e publikuar ekskluzivisht nga Realstory e konfirmon këtë. Dokumenti i publikuar është prova që Soros ka marrëdhënie shumë të mira me Partinë Demokratike, veçanërisht me lidershipin e saj, po ashtu siç ka me Partinë Socialiste dhe krerët e saj. /Realstory