Ditën e djeshme një sërë portalesh publikuan një foto ku shfaqej drejtori i Top Channel, Ben Blushi, duke drekuar në një restorant në kryeqytet me drejtorin e Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga.

Fotoja u shoqërua me një sërë teorish në rrjet, ku nuk munguan komentet se takimi mes tyre kishte lidhje me një rikthim të mundshëm të Blushit në Partinë Socialiste, dhe një riafrim mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.

Është vetë Fuga që i jep fund diskutimeve në rrjet, pasi në një status të fundit në Twitter, ai njofton se i bashkohet paketës “Anti-shpifje” dhe nismës për të paditur këdo që shpif pa të drejtë.

Fuga thotë se takimi me Blushin, ka qenë një takim pune. Ai thotë se me paratë e fituara nga gjyqi do të propozojë realizimin e një abetareje speciale për humbësit e gjyqeve për shpifje.

I keqardhur per shpifjet e disa portaleve lidhur me nje nga dhjetra takimet e mia te dites se punes, kerkova nga Departamenti Antishpifje formulimin e padive civile perkatese. Me leket e fituara do propozoj realizimin e nje Abetareje Speciale per humbesit e gjyqeve per shpifje.

Endri Fuga, drejtor i Komunikimit në Kryeministri
Paketa Anti-Shpifje, është në qendër të debatit publik dhe politik në vend. Ajo u propozua fillimisht nga kryeministri Edi Rama, që pas rastit të Xhisiela Malokut, i cili tha se do të përgatitet një paketë e posaçme për të gjithë ata që shpifin pa prova dhe fakte. Për socialistët, kjo paketë do të shërbejë për një Fond Edukimi. Më herët, Balla dhe Rama kanë thënë se këto para, të fituara nga gjyqet me “shpifësit” do t’i investojnë për më shumë shkolla dhe kopështe.

Opozita e ka kundërshtuar nismën, ndërkohë që paralelisht me këtë paketë, AKEP ka nisur një nismë për të mbyllur çdo portal që nuk ka të regjistruar numrin Nipt dhe të dhënat përkatëse./shqiptarja.com