Vizita e parë zyrtare e kryediplomatit amerikan, Majk Pompeo, në Itali është zhvilluar me të papritura. Paralajmërimi i administratës së Uashingtonit se mund të tarifojë disa nga mallrat karakteristike vendëse ka nxitur një gazetare italiane të shprehë protestën e saj me një copë djathi, ndërsa Pompeo takohej me kryeministrin e vendit. Një gazetare e emisionit satirik italian “Le Iene” ka ndërprerë një foto protokollare mes ministrit të jashtëm amerikan, Majk Pompeo, dhe kryeministrit italian, Xhuzepe Konte, duke protestuar kërcënimin e palës amerikane se do të tarifojë mallrat e vendit.

Aliçe Martineli u afrua te dy shtetarët me një pako me djathin karakteristik të vendit, parmixhanin, të cilën ia ofroi zyrtarit amerikan. “Kam një dhuratë për ju, një dhuratë italiane. Kryeministri e di se për çfarë po flas, ky është Parmixhano-Rexhano, më i miri që bëjmë këtu në Itali,” u shpreh gazetarja.

Shefi i ekzekutivit i ndjerë ngushtë, përkrah Pompeos që buzëqeshte nga befasia, kërkoi që gruaja të largohej. Kjo gjë ndodhi me ndihmën e rojave të sigurisë, por jo para se gazetarja të shqiptonte frazën “çojani Trump-it, ju lutem, ne e prodhojmë me zemër atë.”

Qëndrimi i gazetares ishte reagim ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe veçanërisht presidentit të tyre, Donald Trump, i cili ka paralajmëruar rritjen e tarifave ndaj gati 8 miliardë dollarë produkteve me origjinë nga BE-ja. SHBA-të përfaqësojnë një nga tregjet më të mëdha joeuropiane për eksportet italiane, me shkëmbime tregtare dypalëshe që vitin e kaluar arritën vlerën 99 miliardë dollarë.

Takimet e ministrit të jashtëm amerikan, Majk Pompeo, nisën të martën me presidentin italian, Serxho Matarela dhe me kabinetin qeveritar, të fokusuara në tema si politikat ndërkombëtare dhe tregtare, tensionet në Libi, raportet e Italisë me Rusinë dhe Kinën, dhe tarifat. Ai pritet të qëndrojë në Itali për disa ditë, ndërsa të mërkurën e në vijim ka planifikuar takime me homologun Luixhi di Maio dhe kreun e Vatikanit, Papa Françesku.