Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se pati “bisedime substanciale” të enjten me krahun e djathtë të udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un, për një takim që mund të mbahet në qershor mes tij dhe Presidentit amerikan Donald Trump. Zoti Pompeo i bëri këto komente në Twitter, pasi zhvilloi bisedime në Nju Jork me Kim Yong Chol-in, nënkryetar i Komitetit Qendror dhe ish shef i agjencisë koreanoveriore të zbulimit.

Zoti Trump u tha më parë gazetarëve se bisedimet mes Mike Pompeos dhe Kim Yong Chol-it kanë shkuar mirë dhe se ai shpreson të takohet me Kim Jong Un-in në Singapore në datën e caktuar në fillim, 12 qershor.

residenti tha se ai pret që delegacioni koreanoverior të vijë në Uashington të premten, për t’i dorëzuar atij një letër nga Kim Jong Un-i. “Pres me kënaqësi ta lexoj letrën”, tha sot Presidenti Trump.

Sekretari i shtetit Mike Pompeo, tha se pati një “darke shumë të mirë pune” me Kim Yong Cholin, në mjediset e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Zoti Pompeo postoi në twitter një fotografi, ku shihet duke shtrënguar duart me Kim Yong Choin dhe një tjetër ku ata shihen të ulur në një apartament afër selisë së Kombeve të Bashkuara në New York.

“Ne jemi të përkushtuar për çarmatimin e plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm bërthamor të gadishullit korean”, shkroi sekretari Pompeo.

Kim Yong Chol është zyrtari më i lartë i Koresë së veriut që viziton Shtetet e Bashkuara në 18 vjet./voa/e.e