Nga Celine Cornu/

Çdo ditë, ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini ngre shqetësimin e tij për çështje si emigracioni apo komuniteti rom, por nga pikëpamja ekonomike politika që do të ndërmerret nga qeveria e re italiane mbetet e turbullt, me sinjale kontradiktore nga ana e ekzekutivit.

Pas kundërshtimit të presidentit italian për kandidaturën e euroskeptikut, Paolo Savona, të cilit në fund iu besua posti i ministrit për Çështjet Europiane, të dy partitë e koalicionit qeverisës, Lëvizja Pesë Yjet (L5Y, antisistem) dhe Liga (ekstremi i djathtë) ranë dakord për emrin e Giovanni Tria për postin e ministrit të Ekonomisë dhe të Financave.

”Nuk ka dalje nga zona euro, përpjekjet për uljen e borxhit të vendit, i cili paraqitet si më i larti i zonës euro pas Greqisë me 132% të PBB”, ”respektim të angazhimeve europiane për llogaritë publike”, këto deklarata të Trias siguruan tregjet.

Dy partitë në pushtet, ashtu si dhe Tria sqaruan se ulja e borxhit do të bëhej nëpërmjet rritjes ekonomike, kryesisht nëpërmjet rifillimit të investimeve një reforme në sistemin e taksave. Një masë që lë pas çdo masë shtrënguese.

-Objektivat e deficitit të rishikuar-

Në këtë kontekst, deputetët votuan më 19 qershor një mocion që parashikon rishikimin e objektivave të deficitit publik nga viti 2019 deri në 2021. Nëse teksti sqaron se kjo do të bëhet në përputhje me angazhimet europiane, ose një deficit publik nën nivelin e 3% të PBB-së, pyetja është deri në çfarë niveli.

Qeveria e mëparshme e qendrës së majtë parashikonte një raport deficit/PBB me 1,6% në 2018 dhe 0,8% në vitin 2019, në rënie në raport me 2,3% në vitin 2017, më pas ekuilibër buxhetor në vitin 2020.

Sipas mediave, ky ekuilibër do të rikthehej në vitin 2021. Roma kërkon nga ana tjetër që rregullat europiane të avancojnë në mënyrë që shpenzimet e investimeve të trajtohen ndryshe nga shpenzimet e tjera në përllogaritjen e deficitit.

Paqartësa pritet të hiqet në shtator gjatë prezantimit nga Roma të kuadrit të saj programatik me buxhet dhe parashikime.

Por, emërimi i dy anëtarëve të Ligës me një qëndrim mjaft euroskeptik në krye të komisioneve të rëndësishme parlamentare është parë tashmë si një sinjal i keq nga tregjet ditën e enjte, duke çuar në rritje të menjëhershme të përkohshme të spread-it.

« Ne nuk e dimë se cila politikë ekonomike do të ndiqet nga Italia. Për momentin ne do të presim deklarata qetësuese në lidhje me disiplinën buxhetore dhe uljen e borxhit, por do të shohim. Ajo çfarë mund të vëzhgojmë është se tregjet janë kryesisht nervore dhe në ankth, ata duan të kuptojnë se çfarë do të jetë miksimi i politikave italiane”, theksoi drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde.

-Ekuilibrues-

Edhe brenda vetë qeverisë, tensionet mund të rizgjodhen dhe Tria shfaqet kundër ndaj një sërë çështjesh balancuese .

I eklipsuar nga deklaratat e zhurmshme të kolegut të tij të Brendshëm, Salvini për çështjen e emigracionit, Di Maio, ministër i Punës, synon të mbështetet në çështjen e dinjitetit.

Premtimi kryesor i L5Y është futja e të ardhurave të shtetësisë që pritet të lehtësojë integrimin e më të varfërve në tregun e punës. Tria, i cili në të kaluarën ka shprehur dyshime në lidhje me vlerën e një mase të tillë, u ndal të premten për zbatimin e saj, ndërsa Di Maio dëshiron që ky prioritet absolut i qeverisë të hyjë në fuqi në fund të vitit 2018.

Salvini, i cili zotëron një elektorat të konsiderueshëm në mesin e sipërmarrësve të vegjël, e ka shndërruar “flat tax” (taksën e sheshtë) si çështjen e tij kryesore. Ai argumenton gjithashtu për një lloj amnistie tatimore, që do t’i mundësonte italianëve të arrijnë një marrëveshje me autoritetet tatimore për taksa më të ulëta për ta.