Nga Alfred Peza/

Opozita shqiptare nuk e ka patur krejt të pavend shqetësimin e saj, për ta kulmuar e për ta vendosur nën presion maksimal qeverinë e Ramës në maj, sepse më pas e dinin që nuk do ia dilnin dot, “sepse… vjen vera”. Nxehet moti dhe njerëzit fillojnë e i zgjasin gjithnjë e më shumë fundjavat drejt destinacioneve turistike dhe për rrjedhojë, shfokusohen nga temat e debatit të nxehtë politik të ditës.

Megjithëse është fundjava e parë e qershorit, efektet kanë filluar të duken menjëherë dhe për rrjedhojë, zhurma politike dhe sherret e studiove televizive, kanë filluar të sfumohen dalëngadalë, derisa të nisin e të ndihen gjithmonë e më të largëta.

Ky muaj vërtetë është përcaktues për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, po të kemi parasysh mbledhjen e Këshillit Europian me 28 qershor në Bruksel. Kur e sheh medaljen vetëm nga kjo anë, beson se qershori politik nuk ka asnjë arësye që të mos jetë po aq, e pse jo, ndoshta edhe më shumë i nxehtë e plot nerv e tension, sesa në prill dhe sidomos gjatë muajit që sapo lamë pas.

Por, kur mendon se edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i Kampionatit Botëror të Futbollit Rusia 2018, që është edhe eventi më i madh sportiv i planetit, atëherë beson se pakkush do ta ketë mendjen tek idhujt e tyre politikë, për aq kohë sa në tapetin e blertë, mezi po presin që të zbresin idhujt e skuadrave të tyre të zemrës.

Shqipëria është konsideruar si një ndër 5 apo 10 destinacionet kryesore turistike të botës gjatë stinës së nxehtë që kemi përpara dhe shenjat janë dhënë prej javësh, që ky do të jetë pa as më të voglin dyshim, edhe viti aq i shumëpritur i boom-it të madh turistik.

Ndaj, më shumë sesa të bëjnë tifozllik për partitë politike, dhjetra mijëra familje që e kanë lidhur jetën me këtë industri, i janë përveshur punës dhe kanë filluar të bëjnë llogaritë e përfitimeve të tyre, përpara asaj që synojnë të arrijnë liderët politikë në Tiranë.

Më 26 maj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, opozita shqiptare mbajti protestën e saj të madhe të radhës, ku pothuajse të gjithë e pranuan se për nga pjesëmarrja, në mos dështim, ajo ishte një ndër më të dobëtat.

Pak ditë më pas, pikërisht në natën e parë të qershorit, pak metra më tutje, në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, Ermal Meta fituesi i Festivalit të Sanremos 2018 në Itali dhe përfaqësuesi i saj në Eurovizion, mblodhi aq shumë fansa sa asnjëra nga partitë politike shqiptare, edhe në mitingjet e tyre më të mira, nuk ia kanë arritur që ti grumbullojnë ndonjëherë.

E ta mendosh që në mbrëmjen e kësaj të diele, po aty do të performojë edhe Rita Ora, gjithkush mund ta mari me mend, se përse shqiptarët e kanë gjithnjë e më pak mendjen tek politika këto kohë. E me siguri që do ta kenë gjithnjë e më pak edhe në ditët e javët në vijim.

Liderët politikë shqiptarë kanë përvojë të mjaftueshme tashmë, për ta kuptuar se kjo që po vjen, është një kohë që punon kundër tyre. Një periudhë kundërproduktive për të bërë beteja, përplasje, show, debate, akuza, kundërakuza, mitingje, protesta dhe përplasje në sallën e Parlamentit. Sepse çfarëdo që të bëjnë, edhe qytetarët e dinë po aq mire sa ata, se politika e qershorit është… një gjellë vere. Nga ato që gatuanin dikur gjyshet tona të mira, duke shfrytëzuar prodhimet e stinës dhe… mungesën e mishit.