Paul Pogba raportohet se ka vendosur përfundimisht të largohet nga Manchester Unitedi, megjithatë mesfushori francez thuhet se e preferon kalimin në Real Madrid më shumë sesa në Juventus.

Juventusi dhe Real Madridi janë spekuluar si dy destinacionet e mundshme të Paul Pogbas gjatë afateve të fundit kalimtare, pasi që vetë francezi ka sugjeruar se dëshiron të largohet nga Old Trafford, transmeton Gazeta Express.

Gazeta prestigjioze franceze, L’Equipe, shkruan se Pogba ka vendosur përfundimisht të largohet nga Manchester Unitedi, mirëpo thekson se ai do ta preferonte transferimin në Real Madrid më shumë sesa në Juventus.

Përkundër kësaj, Juventusi raportohet se nuk është ndikuar nga kjo preferencë e 26-vjeçarit dhe se do t’i vazhdojë tentimet për t’i siguruar shërbimet e tij gjatë afateve të ardhshme kalimtare.

“Zonja e Vjetër” e kishte shitur mesfushorin francez në Manchester United për një shumë rekorde prej 105 milionë eurosh gjatë verës së vitit 2016. Ai ka kontratë me Manchester Unitedin deri në vitin 2021.

Por, kthimi i tij në Manchester United, ku kishte luajtur për grupmoshat e klubit në vitet e hershme të karrierës së tij, nuk ka rezultuar ashtu siç kishin pritur dy palët. Pogba kishte menduar se do të fitonte më shumë trofe, ndërsa “Djajtë e kuq” kishin pritur paraqitje më të mira nga francezi.

Trajneri i “Los Blancos”, Zinedine Zidane, e ka bërë të qartë se ai dëshiron të bashkohet me Pogban në kryeqytetin spanjoll, duke insistuar në transferimin e tij edhe gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar.