Administrata Tatimore në kuadër të zbatimit të planit operacional kundër informalitetit gjatë kësaj jave ushtroi kontroll në rreth 490 subjekte, ku ka konstatuar shkelje të legjislacionit tatimor në 109 prej tyre. Sipas DPT-së, 10 subjekte u gjetën të paregjistruara, ndërsa 14 tatimpagues u penalizuan për shkeljen e mos lëshimit të kuponit tatimor, rasti i parë.

Ndërkohë, 13 tatimpagues u gjetën me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 7 subjekte ishin biznes i vogël dhe 6 subjekte ishin biznes i madh. DPT thotë se 4 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 5 tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune. Gjithashtu, 29 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.