Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu doli ditën e sotme për të thënë se ishte zbuluar një celulë terroriste, të cilët në 2018 kishin pasur si qëllim të kryenin akt terrorist ndaj muhaxhedinëve.

Një emër i rëndësishëm, për të cilën foli Ardi Veliu është edhe Abdulselam Turgut, një emër i njohur për autoritet shqiptare, pasi në 2011 është arrestuar në Rinas.

Arrestimi në Rinas u bë për llogari të Drejtësisë gjermane, pasi akuzohej se ka trafikuar një sasi prej 1 tonësh heroinë në vitin 2009.

Shtetasi turk, Abdulselam Turgut, ishte në kërkim në atë kohë edhe nga pesë shtete të Europës.

Pas arrestimit të shtetasi turk, prokuroria kishte paraqitur kërkesën në gjykatë për miratimin e arrestit ndaj Abdulselam Turgutit dhe caktimin e masës se përkohshme të sigurimit Arrest ne burg me afat 40 dite për efekt të ekstradimit të tij drejt shtetit gjerman.

Por, në një vendim të Gjykatës së Apelit të kryesuar nga Gjin Gjoni, u vendos që shtetasi turk të lihet në “arrest shtëpie”, duke e detyruar që të qëndrojë në një banesë të marrë me qira nga ai në një pallat tek Kthesa e Kamzës.

Pas pak ditësh nga vendimi i Gjykatës së Apelit, është urdhëruar thirrja e Abdulselam Turgutit në Prokurorinë e Tiranës për të vazhduar me procedurat e ekstradimit për në Gjermani, por që shtetasi turk nuk është gjetur më në shtëpi.

Abdulselam Turguti përfitoi nga ky vendim i Gjykatës së Apelit, me kryesues Gjin Gjonin, për t’u arratisur nga Shqipëria me identitet tjetër.

Edhe pse Prokuroria kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Gjykatës së Apelit, kjo e fundit në vitin 2012, në një vendim me Gani Dizdarin kryesues, dhe katër anëtarë Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj, Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi, gjykuan se vendimi Gjykatës së Apelit kishte qenë i ligjshëm me masën ‘arrest shtëpie’ për turkun një vit më parë.