Një jave nga hyrja në fuqi e ligjit për mbylljen basteve dhe kazinove elektronike, të dhënat nga qendra kombëtare e biznesit flasin për një mbyllje masive të pikave në vend. Duke ju referuar shifrave zyrtare deri në datën 23 dhjetor janë mbyllur 4985 adresa sekondare nga pikat e basteve sportive.

Ndërsa sa i përket llotarive janë 235 pika të tilla të mbyllura në QKB. Sipas adresave sekondare të regjistruara aktive në qendrën e biznesit janë edhe 320 të tjera që priten të mbyllën javën e fundit të dhjetorit. Sipas ligjit të miratuar, nga janari i 2019 nuk do të ketë pika bastesh dhe kazino elektronike, bingo si dhe lojëra elektronike në distancë, raporton Vizion Plus.

Parashikohet që zhvendosja e tyre të bëhet në hotelet me 5 yje kur ato të ndërtohen. Ligji parashikon gjithashtu se do të jetë vetë shteti qe do të merret me ndërmjetësimin dhe organizimin e lojërave të fatit. Por deri më tani nuk ka ende një nisëm të tillë konkrete nga qeveria. Paralelisht me këtë fakt mbyllja e vitit do të shoqërohet edhe me një numër të shtuar të papunëve që do të dalin nga mbyllja e këtyre bizneseve. Sipas të dhënave janë 7500 të punësuar zyrtar në këtë sektor, por mbetet për tu parë se sa prej tyre do të dalin të papunë, pasi një pjesë e pikave të lojërave të fatit mund të ndryshojnë aktivitetin e tyre tregtar.