Sulmuesi i Milanit, Krzysztof Piatek, dëshiron të vlejë 70 milionë euro kur eventualisht të largohet nga klubi kuqezi për ta nisur një eksperiencë të re në karrierën e tij. Polaku Krzysztof Piatek u transferua në Milan gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi e shijoi një periudhë të jashtëzakonshme me Geonas, në fillim të karrierës së tij në Serie A, transmeton Gazeta Express.

Ai i shënoi 13 gola në 19 paraqitje të tij në ligë gjatë pjesës së parë të sezonin 2018/19, duke e fituar kështu transferimin në Milan për 35 milionë euro. Ai e ka vazhduar formën e mirë edhe në San Siro – duke i shënuar edhe nëntë gola të tjera Mirëpo, ai ka dështuar ta vazhdojë këtë formë të mirë edhe gjatë këtij sezoni 2019/20, pasi që deri më tani i ka shënuar vetëm tri gola. Përkundër kësaj, Piateku është i bindur se ai do të ketë sukses me kuqezinjtë.

“Kur u transferova në Milan, gjithçka ndodhi shumë shpejt saqë unë s’bëra asnjë pyetje. Isha i përqendruar në punën time, në futboll. Tani unë vlej 38 milionë euro, herën tjetër kur t’i ndërroj klubet, unë do të doja të vlej 60 – 70 milionë euro”, ka thënë Piateku.

“Unë duhet të jem ambicioz, do të punoj për këtë gjë. Jam në fillim të karrierën sime, është vetëm sezoni im i dytë në Serie A, që është njëra ndër top pesë ligat më të mëdha në Evropë”. Piateku gjithashtu beson se reagimi i mediave italiane ndaj formës së tij të dobët këtë sezon e ka përkeqësuar situatën e tij në Milan, që aktualisht radhitet në pozitën e 14-të në tabelën e Serisë A.

“Unë shikohen në pasqyrë dhe kërkoj fajin brenda vetes. Në fillim, si skuadër, ne nuk krijonim shumë raste. Jemi duke u përmirësuar, do të shënoj sërish”, shtoi Piateku.

“Për gazetarët italianë, një ditë je Papa i futbollit e ditën tjetër je futbollisti më i dobët. E pranoj këtë. Askush nuk e vendos veten në pozitën time, ballinat e gazetave s’më ndikojnë”.