Nga Mero Baze/

Pashë që Lulzim Basha në gëzim e sipër që arriti të konsolidojë traditën e mbylljes së hetimeve penale ndaj tij me procedurë, këtë radhë me vonesë të letërporosisë nga SHBA, ishte hedhur edhe në sulm. Thoshte që 650 mijë dollarët që e akuzojnë si të paguar nga rusët, janë shpikje e Edi Ramës.

Është normale që dikush të gëzohet kur mëson që shpëtoi nga burgu. Dhe Lulzim Basha nuk ka pse të mos ndjehet i gëzuar, që është afër të shpëtuarit. Por nëse e ka vërtet se ndaj tij është bërë ndonjë padrejtësi, ai e ka më të lehtë se kushdo tjetër të marrë hak.

Njeriu që ka marrë më qafë Lulzim Bashën në gjithë këtë histori, nuk është Edi Rama, as Arben Ristani. Bile nuk është as ai Dervishi që mban financat e PD.

Të gjithë këta nuk kanë fare dijeni se si i ka çuar Lulzim Basha 650 mijë dollarë në SHBA, kujt ja ka dhënë, apo kush ka paguar për të, nëse ai nuk i ka çuar me çantë.

I vetmi njeri që di gjithçka dhe që e ka nxjerrë zbuluar Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike si të financuar nga rusët, është personi që i ka përfituar këto para.

Ai quhet Nick Muzin, jeton në SHBA, një lobist që ka nënshrkuar kontratë me firmë me Lulzim Bashën, dhe ka deklaruar në shtetin e vet taksat që paguan, pasi ka plotësuar një formular ku thotë se 650 mijë dollarë i ka marrë nga Partia Demokratike e Lulzim Bashës përmes dy biznesmenëve rusë.

Për të qenë serioz deri në fund, ka depozituar dhe kontratën.

Pra Edi Rama, Arben Ristani, media në Shqipëri, përfshi dhe Dervishin e financave të PD, mësuan se rusët kanë paguar 650 mijë dollarë për Lulzim Bashën, prej Nick Muzin, i cili tani është nën hetim në SHBA për punët e tij.

Tani si ka mundësi që ky Lulzim Basha, nuk lë njeri pa përgojuar, nuk lë gjë pa shpikur, nuk lë gënjeshtër pa fantazuar, por nuk thotë dot asnjë fjalë për të vetmin njeri mbi këtë tokë, që i ka zbuluar pagesën prej 650 mijë dollarë prej rusëve?

Çfarë e pengon Lulzim Bashën të padisë Nick Muzin si mashtrues dhe me këtë rast, t’i hapë telashe të rënda në SHBA, pasi prek deklaratën e tij për taksat.

Si ka mundësi që dikujt i ka lindur në zemër t’i japë 650 mijë dollarë Lulzim Bashës vetëm për ta dëmtuar, pa i treguar fare?

Gënjeshtrat e Lulzim Bashës janë shpeshherë foshnjore. Janë të tipit “ika nga apartamenti në vilë, se më ishte prishur suvaja”, apo “i bëra vetë listat e deputëve se s’kisha njeri në zyrë veç kunatit atë mbasdite”.

Por kjo që po ndodh tani, kur këtë e akuzon një lobist amerikan, me të cilin ka nënshkruar kontratë me firmë të vet, për t’i dhënë 650 mijë dollarë, ja ka dhënë ato para, ai i ka deklaruar ato para, dhe ky jo vetëm që nuk e padit këtë njeri si mashtrues, por ka frikë të zërë dhe emrin në gojë, ilustron më së miri mungesën e fantazisë për të gënjyer.

Shto këtu pastaj dhe inatin që ka, që ato para mund t’i ketë paguar dhe vetë Basha me çantë dhe ai ja ka deklaruar si para ruse.

Basha thjesht duhet të zgjedhë, ose të pranojë që ka transferuar ilegalisht 650 mijë dollarë, ose që i ka marrë nga rusët. E para është akuzë penale. E dyta është morale.