Nga Bashkim Kopliku

Më pyetën në fb: Bashkim, përsese u terhoqe nga PD […]

Përgjigjja ime është si vijon:

Z. Herri, nuk jam tërhequr nga PD e viti 1991, nga mendimi politik i saj, por PD iku nga pozicioni i saj i 1991, që kishte kur unë u bëra pjesë e saj.

PD aktuale, duke filluar qartë që në 1995, pas humbjes së referendumit të vitit 1994, “për Kushtetutën”, mori kthesë 180 gradë, duke u kthyer në një parti policeske, që nuk respektonte më as rregullat minimale të demokracisë së brendshme. Këtë degjenerim totalitar e antidemokratik të PD-së, unë, me gjithë përpjekjet e mia, nuk arrita ta ndaloj, sepse shumica e anëtarëve të PD, e aprovonin këtë degjenerim.

Vazhdova të përpiqem ta pengoj Degjenerimin e PD, duke mbetur brenda saj, edhe në minorancë, deri sa, në prill 1997, kur më hoqën, me dhunë, nga kryesia e PD-së, me një votim skandaloz dhe në shkelje të statutit po të PD. (Këto ditë kam postuar një sqarim në face book, për atë ngjarje).
Nuk pati asnjë lëvizje, nga PD, për të ndrequr shkeljen e bërë, duke kërkuar falje, e pastaj, pra vetëm pastaj, pas kërkimit të faljes ndaj meje, të më kërkonin të kthehem prapë në PD. Nuk kërkuan falje as gjatë 1997, as më vonë nuk e bëri PD një gjë e tillë…

Megjithatë, deri në nga mesi i vitit 2009, nga jashtë PD, me shkrimet e mia e me daljet publike etj., kam shpresuar, kam vazhduar të përpiqem që PD të rikthehet në një parti demokratike të djathtë, aty ku ishte kur shqiptarët u mbështollën rreth saj për të rrëzuar enverizmin!.

Poor, unë, në qershor-korrik 2009, kur PD bëri koalicion, pazarllëk me LSI, e kjo vetëm e vetëm për të mbetur në Qeveri, për të mbajtur “karriget e thyera”, u binda se nuk kishte më asnjë shpresë shërimi për PD. Ajo po vepronte
qartë kundër votës së popullit: populli nuk i kishte dhënë votën, PD-së, për bashkëqeverisje me LSI, por kundra saj!

U binda se PD kishte shkelur tashmë çdo parim, dhe prandaj ndëpreva çdo përpjekje për shërimin e PD-së, humba çdo shpresë shërimi të saj. Kjo sepse, fatkeqësisht, ishte shumica e PD-së fajtore, jo vetëm grupi udhëheqës në krye të saj; konstatova se aleancën me LSI po e përkrahte shumica dërmuese e anëtarëve të PD, edhe të njohur e miq të mij direkt … Ju kujtoj se gjatë gjithë fushatës që sapo kishte mbaruar, në 2009, LSI kishte qenë, edhe ajo, në një kundërshtim tërësor ideologjik, me PD, ku edhe ajo, LSI, votat nga elektorati i saj i kishte marrë për qëndrimin kundër PD, jo për bashkëqeverisje me të. PD u bë njësoj me LSI … !!!

Edhe në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, kur PD pruri Bashën me hajdutllëk në krye të Bashkisë Tiranë, PD arriti deri aty sa për babëzinë për “karriget e thyera”, për pushtet pa vota, bëri aleancë edhe me Partinë Komuniste, me të cilën PS nuk pranoi më të bënte aleancë!!!

Praktikisht, u pa qartë se tashmë përfundimisht spekri politik shqiptar ishte ristrukturua qartë:

PS ishte zhvedosur djathtas, kurse PD majtas, më majtas se PS, kishte shkuar tek PK (partia komuniste). Për ironi, partia e madhe e djathtë në Shqipëri, u bë PS… 🙁

Tani mbetem në përkrahje të çdo lëvizjeje, të çdo përpjekjeje, të çdo grupimi që përpiqet të organizohet për një parti demokratike të djathtë, si PD e fillimit, e vitit 1991– vendit, Shqipërisë, tashmë prej vitesh i mungon një parti e tillë, që ta meritojë të jetë anëtare e PPE (Partia Popullore Evropiane) ku gabimisht akoma është PD….

Po e përsëris: fatkeqësisht, PD nuk është më e shërueshme, nuk kthehet dot më në një parti të djathtë demokratike, e çdo përpjekje në këtë drejtim, shkon kundër rikrijimit të një partie popullore (të djathtë) të Shqipërisë, që aktualisht aq shumë i mungon Shqipërisë, e që do të kishte qenë një kontribut kolosal për pranimin në BE.