Nga Mero Baze

Sali Berisha sot e nisi ditën me një ekspozitë arti në Tiranë, ku një artist ka bërë një cikël grafikash me personazh kryesor presidentin Trump. Lajmëroi qysh herët në mëngjes shtypin dhe në fakt më shpejt doli, se sa hyri në ekspozitë. I duhej një pamje filmike që të kishte në sfond presidentin Trump. Jo si ajo fotoja e Lulzim Bashës, dy vjet më parë, që kushtoi 20 mijë dollarë, por diçka më artistike, për të treguar se nuk ka fuqi ta ndajë atë nga presidenti Trump.

Doli për të siguruar demokratët se janë në luftë me Perëndimin, dhe se presidenti Trump është keqinformuar për të dhe familjen e tij, politike dhe biologjike.

Por ajo që tha para gazetarëve, do të mjaftonte që të justifikonte gjithë qëndrimet e SHBA kundër tij dhe partisë së tij. Përpjekja e tij e vazhdueshme për ta quajtur keqkuptim gjithë bashkëjetesën e tij të vështirë me Perëndimin, është në fakt saga e vërtetë e një qënie antiperëndimore në Shqipëri. Nuk ka gjë më të gjatë dhe të përjetshme si antiperëndimor, se sa të jesh gjithmonë përkohësisht i keqkuptuar me Perëndimin.

Prej vitit 1994, ai ka një luftë të vazhdueshme dhe konstante me çdo ambasador amerikan në Shqipëri dhe me çdo politikë të SHBA-së në vend dhe rajon.

Por nuk do t’ia vlente të merreshim me historinë e tij, por me spiralen ku në fund të jetës së tij politike dhe fizike, ka futur Partinë Demokratike, partinë e parë pro-perëndimore të Shqipërisë, që zgjoi ëndrrën e shqiptarëve për Perëndimin.

Përpjekja për të mbuluar krizën e tanishme me Perëndimin, dhe për të vazhduar të konsiderojnë raportet katastrofike, një aksident dhe keqkuptim, është në të vërtetë drama reale e Partisë Demokratike, elektorati i së cilës është pjesa pro-perëndimore e Shqipërisë. Ai e di mirë çfarë i ka bërë aktualisht Partisë Demokratike. E di mirë se nuk i hapet më asnjë derë me këtë që ka bërë kundër sistemit në përgjithësi.

Në vitin 2000, në një rast të ngjashëm si sot me Lulzim Bashën, ai tentonte të hynte në zyrat e OSBE si gazetar i “RD”, pasi nuk e pranonin më si kryetar i PD. Lulzim Basha u nis sot herët në mëngjes për në Vjenë, me djalin e Berishës dhe me mendtë e Fatmir Mediut, për të gënjyer po ashtu demokratët, se Perëndimi mezi po pret aktin vetëvrasës të Partisë Demokratike.

Përfytyroni që ka shkuar në Vjenë në orën 08:00 të mëngjesit dhe është nisur sërisht në orën 10:00 prej andej, për të kapur avionin në orën 12:00 në aeroport. E gjitha kjo, vetëm për të vazhduar të gënjejnë demokratët, se janë duke sqaruar Perëndimin për atë që kanë bërë.

Njëri shkon fotografohet para grafikave të Trumpit, tjetri fotografohet me Shkëlzenin dhe Mediun aeroporteve dhe dyerve të OSBE, dhe të gjithë këtë e shesin si përpjekje për të sqaruar Perëndimin. E vetmja gjë që sqaron Perëndimin në këtë histori, është bërja bashkë e gjithë personave që duhet të ishin para drejtësisë, Shkëlzeni dhe Mediu për Gërdecin, ky tjetri për çështjen penale të mbyllur me procedure, dhe babai i tyre për gjithë çka bërë në këto 30 vjet, por mbi të gjitha, për vrasjet me të cilat është lavdëruar.

Demokratëve do t’u mjaftonte kjo ditë dhe këto gjeste, për t’i parë ata jo më si shpresën e tyre, por si problemin e tyre, dhe të marrin vërtet fatin e tyre në duart e tyre. Një ditë kjo do të ndodhë. Do të ndodhë pas gjashtë muajsh apo dy vjetësh, kjo varet nga shpejtësia më të cilën do bëhet e qartë se koha e këtyre figurantëve që për karrigen e tyre, po masakrojnë partinë e parë pro-perëndimore në Shqipëri, ka mbaruar.

Nxitimi i tyre sot për t’u fotografuar dikush tek ekspozita e Trumpit, e dikush tek zyrat e OSBE, është keqkatandisja më e madhe që i kanë bërë PD-së në këto tridhjetë vjet. Shto dhe faktin që Fatmir Mediu duket më i mirë se ata, për ta kuptuar qartë në çfarë grope janë zhytur.