Nga Preç Zogaj/

Një titull paradoksal si ky e akuzon ëndrrën si të pafuqishme për të vështruar larg. Por ma merr mendja shkon për të treguar në larminë e zhvillimeve dhe kundërzhvillimeve të saj Shqipërinë postkomuniste nga viti 1991 e këndej.

Ta shohësh nga jashtë Shqipëria e para viteve nëntëdhjetë nuk njihet në Shqipërinë e ditëve tona. Për të mos thënë nuk ekziston më. Dhe këtu sigurisht nuk kam parasysh gjeografinë e përjetshme apo trashëgiminë e paprekshme arkeologjike. Kam parasysh Shqipërinë urbane dhe rurale, infrastrukturën rrugore, turistike, ekonomike, mënyrën e jetesës, marrëdheniet me punën, pronën, veshjen, ushqimin, argëtimin…Me fjalë të tjera, gjithçka që përfshin nocioni zhvillim në shoqërinë e hapur.

Liria ka punuar. Koha ka punuar. Njerëzit kanë punuar. Hapja ka punuar. Ndryshimi është ngritur mbi ndryshimin, siç lartohet tullë pas tulle një mur dhe kat pas kati një ndërtesë. Ashtu si unë, shumë nga miqtë e mi të afërt me të cilët kemi ndarë mendimet dhe kontributet në mbështetje apo si pjesë e Lëvizjes Demokratike të Dhjetorit 1990, nuk e kishin përfytyruar atëherë Shqipërinë që jetojmë sot. Kanë kaluar shumë vite vertetë, si rregull koha , në afat të gjatë, e fiton garën me pritshmëritë dhe parashikimet e limituara njerëzore. Sepse vetë koha nuk ka kufinj. Në rastin e Shqipërisë diferenca midis ëndrrës së fillimeve dhe realitetit të vazhdimeve ka një shpjegim me kompleks që lidhet, ndër të tjera, me startin e vendit tonë nga një izolim dhe prapambetje e pashembullt në Europë, gjë që ka pas përcaktuar edhe rrezen e endërrës, që nuk mund të shihte aq larg sa ç’mund të thuhet me lehtësi sot. Studentët dhe intelektualët më të ndriçuar të kohës, mjaft prej të cilëve do të bëhëshin protagonistë të ndryshimeve dhe qeverive që erdhën me radhë, ishin më të qartë për çfarë nuk mund të pranonin më – diktaturën, regjimin njëpartiak, izolimin, mohimin e të drejtave universale – se sa për çfarë do të vinte. Në lidhje me të ardhmen përfytyrimet e tyre i brendashkruheshin vizionit të rrumbullakosur për një Shqipëri si gjithë Europa. Në fakt liria, hapja, ekononia e tregut, shkëmbimet, të drejtat, me një fjalë inventari i vlerave të demokracisë liberale e kanë hedhur vendin vazhdueshëm përpara ëndërrës së momentit në shumë aspekte.

Por Shqipëria ka mbetur gjithashtu në jermin e rrotullimit në vend, rreth lëngatave të saj që duken si endemike. Një shqiptar në emigracion apo një i huaj çfarëdo që e viziton në mënyrë periodike Shqipërinë, fjala vjen një herë në katër pesë vjet, aq sa e gjen të ndryshuar duke e parë, po aq e gjen të njëjtë duke e dëgjuar e lexuar. E njëjta gjuhë e ashpër, e varfër, e cekët- gjuhë parullash dhe llogoresh – e politikanëve dhe ndjekësëve të tyre; të njëjtat mosmarrëveshje për çështje që nuk e përligjin mosmarrëveshjen, të njëjtat tema në shqyrtim, që shkunden e shkunden nga e para dhe njëlloj si herën e parë edhe herën e njëmijtë, të njëjtat trajtime, të njëjtat tone, të njëjtat grimasa. E me radhë, e me radhë.

Në vështrimin tim, metaforikisht, janë tri mallkime që e kanë ndjekur e mbajtur pas Shqipërinë përgjatë tranziconit.

Një është mallkimi i baltës.

Nuk e harroj kurrë një episod nga shpallja e themelimit të Partisë Demokratike në qytetin Studenti në 12 dhjetor 1990. Kishte rënë shi gjithë ato ditë, Tirana mbarë ishte shkulur për të asistuar ngjarjen historike. Pasi u mbajtën fjalimet e rastit turma e stërmadhe filloi zhvendosjen e ngadalshme drejt Tiranës, duke e përzier edhe njëherë nga e para baltovinën e krijuar. Ishte vështirë të gjeje një njeri që nuk ishte stërpikur me baltë nga mesi e poshtë. Por festiviteti sundonte mbi gjithçka. Në këtë çast një miku im i ngushtë më tha me shaka: “Me gjak nuk u bëmë, por me baltë po”. Qeshëm. Qeshëm prapë, duke parë lumin e njerëzve që shtyhej ngadalë drejt qytetit. Qeshëm më të madhe si të ishim kujtuar për kalimin nëpër një fushë të minuar, ku asnjë minë nuk kishte shpërthyer. Kishim menduar të gjithë se regjimi nuk do të lëshonte pa shkuar gjaku në gju të kalit. Ashtu ishte kapur me thonj e me dhëmbë në udhëkryqin e kohës tirania shqiptare. Kishim menduar se do të bëheshim me gjak. Por ishim bërë vetëm me baltë. Nuk e dinim atëbotë se balta do t’i ngjitej si mallkim tranzicionit të gjatë të Shqipërisë, kur të gjithë do të turreshin për të bërë pis njëri tjetrin me baltën gratis. Shkrimtari më i madh i vendit, Ismail Kadare kishte pasur intuicionin e shpërthimit të gjirizeve si një formë e hakmarrjes së diktaturës së rrëzuar ndaj njerëzve në liri që nuk ishin një popull tjetër nga ai që kishte jetuar nën diktaturë. Që nga Parisi ku ishte vendosur si arratisur politik në atë kohë Kadare do të përpiqej të projektonte një dalje të qytetëruar, plot tolerancë e vetëpërmbajtje të shqiptarëve nga diktatura, duke thirrur në ndihmë dhe duke shkruar në portën e exit-it të tyre vargjet e një poezie të vjetër në frymën kristiane të Lekë Matrëngës. Por vërshimi i gjirizeve do të ishte më i fortë. Shpjegimi nuk është i thjeshtë , por një gjë ka qenë e qartë qysh në krye: në skemat politike aktive në Shqipëri, jo rallë të errëta dhe shpeshherë pa thelbe programore të mirëfillta, balta u shndërrua në një mjet të pacipë e të lehtë të luftës politike për pushtet dhe epërsi të tjera. Mallkimi i baltës u ngrit kundër lirive që duhej të çlironte demokracia. Dhjetra dhe qindra intelektualë të shquar apo të njohur u tërhoqen në vetminë e tyre, shumë të tjerë moren arratinë, me kalimin e viteve injoranca mori frenat kudo. Dëmet e mallkimit të baltës nuk janë llogaritur akoma me laps në dorë. Nëse do të llogariten, do të dalë se kanë qenë e janë jashtëzakonisht të mëdha.

Një mallkim i dytë është ai i simulimit të pluralizmit. Pluralizmi ynë lindi i negociuar, partitë kryesore që e sendërtuan ishin në njëfare mënyre nga i njëjti material njerëzor, elitat politike kundërshtare nuk arritën të diferencoheshin në ide, në programe, në gjithë atë që është kultura e ngjyrës politike dhe ideologjisë. Më shumë se sa ta kishin si atribut, këto parti dhe drejtuesit e tyre e simulonin ndryshimin. Për të kompensuar mungesën e ndryshimit real, që është punë e kohës dhe nganjëherë e shekujve, ata, të kompleksuar nga simulimi, i dhanë jetë një konfliktualiteti të ashpër, acidik, ndësjelltazi përjashtues, që nuk gjente justifikim në orjentimin komun perëndimor. Ashtu siç bënë keq luftën, bënë keq edhe paqen kur e bënë ndonjëherë. Sepse nuk ishin të vërtetë në asnjerën. Ngjan si paradoks, por është e vërtetë: partitë dhe politikanët në krye të tyre merren vesh më mirë kur janë realisht të ndryshëm se sa të njejtë për çeshtjet e përbashkëta dhe për ato të bashkëjetesës demokratike. Dëmet e konfliktualitetit të kërkuar janë në sytë e gjithë njerëzve që kanë jetuar historinë e tranzicionit. Gjithësesi, ato dëme nuk janë llogaritur ndonjëherë deri në një.

Mallkimi i tretë është ai i pandëshkueshmërisë. Nga viti 1993 e këndej drejtësia që ishte ndërsyer nga politika për të goditur poltiikisht kryetarin e atëhershëm të PS-së dhe shefin e opozitës, Fatos Nano, u ndalua po nga politika të vepronte në sferat e larta. Nga një ektrem në tjetrin. Këtu fillon historia e elitave politike mbi ligjin. Këtu fillon dhe shtrihet në kohë nga legjislatura në legjislaturë e nga nga qeveria në qeveri pandëshkueshmëria, dukuria që bashkon qeverisjet dhe kupolat politike në vend. Të gjithëve në përgjithësi, me pak diferenca, u ka shijuar modeli që mundëson pasurimin galopant dhe njeherësh i mbron nga llogaridhënia e ndëshkimi.

Pandëshkueshmëria shpjegon shumë prej fenomeneve shqiptare që kanë çuditur njerëzinë, siç janë marrja peng e zgjedhjeve në mënyrë periodike, promovimi i injorancës dhe krimit në politikë , shkelja e mjaft lirive dhe të drejtave demokratike, thyejet e mëdha shoqërore, morale dhe etike, që janë mjeshtëria e uzurpatorëve me turne të pushtetit në Shqipëri, vrasja graduale e shpresës popullore për një demokraci normale dhe si konkuzion i gjithë listës së gjatë të këtyre pasojave ka ardhur zbrazja e pambaruar e vendit, ikja pothuajse pa pauza e njerëzve nga atdheu tashmë jo më për një copë bukë, por për shumë arsye të tjera që lidhen me dinjitetin e familjeve dhe personit e deri me shijet që neverisin politikbërjen.

Asgjë nuk mban, gjithçka kalon, thotë maksima heraklitiane. Shqipëria po pret një zhvillim të ri, të panjohur, që mund të përshkruhet si fundi i sundimit të politikës dhe fillimi i sundimit të ligjit. Kjo është një premisë realiste se edhe për tre mallkimet që numërova unë këtu numërimi mbrapsht do të fillojë. Dhe ëndrra do të kthehet të tregojë udhën. / bota.al