Kukësi vazhdon të mbetet kampion i Shqipërisë, por vetëm në emërtimin që i vë UEFA pasi në fushë, Skënderbeu nuk e ka diskutuar asnjëherë çështjen e titullit.

Pasi Kukësi u konsiderua si kampion i Shqipërisë në dy ndeshjet ndaj Valetës dhe në takimin e parë ndaj Karabakut, duket se gabimi do të vazhdojë gjatë.

Edhe për ndeshjen e kthimit, UEFA shprehet se kampionët azerë, do të përballen me homologët e tyre nga Shqipëria, duke gabuar në këtë mënyrë për herë të katërt radhazi, shkruan “Vipsport”.

Në fakt, dikush, duhet t;i njoftojë drejtuesit e UEFA-s se Kukësi po merr pjesë në Ligën e Kampionëve për shkak të dënimit që vetë ky institucion i ka dhënë Skënderbeut.

FSHF-ja është ajo e cila duhet të dërgojë të paktën një e-mail në drejtim të UEFA-s, ku të kërkojë që të korrigjohet gabimi, pasi kampion në Shqipëri për sezonin që kaloi, ishte Skënderbeu dhe jo Kukësi, siç pretendon UEFA.