Nga Altin Ketro

Në orët e vona të së mërkurës, numri dy i PD-së, duke marrë shkas nga raporti i ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit, u rrek t’i delegjitimojë ato duke u kapur pas fjalish të caktuara dhe duke i interpretuar sipas interesit të tij politik.

Ndër pikat ku Gazbardhi u përpoq të argumentojë ishte pjesa ku në atë raport thuhej që, në 31 nga 61 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet, kandidati i Partisë Socialiste nuk pati rival përballë duke mos i dhënë mundësi popullit të zgjedhë përtej një kandidature.

Kjo është diçka që është trajtuar gjerësisht edhe përpara 30 qershorit dhe nuk ishte nevoja ta përmendtte raporti i ODIHR-it. Çështja është se edhe misioni i ODIHR-it, mbase nga dëshira për t’i dhënë PD-së një kockë ku të lëpihet për të justifikuar marrëzinë e saj bojkotuese, ra preh e një klisheje alla-shqiptare. PD dhe PS, sado të mëdha të jenë në elektorat, nuk janë parti që kanë prioritet e avantazh mbi çdo parti tjetër, mungesa e njërës prej të cilave, nuk i jep zgjedhjeve ligjmëri.

Të dyja këto parti, në çdo prag zgjedhjesh, futen të barabarta në start me të gjithë partitë e tjera. Pavarësisht anës financiare dhe burimeve njerëzore që këto dy parti zotërojnë, një votë për to është po njësoj si një votë për parti që janë krijuar edhe 3 muaj përpara zgjedhjeve.

Jemi mësuar këto tri dekada që gjithnjë ballafaqimin elektoral ta shohim midis PS e PD, dhe na duket çudi që po mungoi njëra prej tyre, zgjedhjet sikur s’kanë më kuptim. Kjo është tamam t’i presësh shpresat çdo inisiative të re politike duke e paragjykuar atë si jo të denjë për t’i rivalizuar, pse jo, për t’i mundur këto dy parti të mëdha.

Fatkeqësisht në këtë grackë ra edhe misioni i ODIHR-it, duke mos kuptuar shkaqet e vërteta se përse kjo opozitë jashtë parlamentare, e cila pretendon se ka 85 për qind të mbështetjes, nuk hyri në zgjedhje. Dhe kur vijmë tek kjo shifër, nuk e di se si nuk u vjen turp kur pretendojnë një përqindje të tillë mbështetjeje dhe e thonë me kaq krenari pa kuptuar kundërpyetjen: Po mirë, pse nuk hytë në zgjedhje që ta mundnit kollaj fare atë 15 përqindshin që ka partia në pushtet?!

Vetëm se ka një problem në këtë interpretim, pra a quhen të rregullta zgjedhjet ku në gjysmën e bashkive nuk merr pjesë rivali kryesor. Këtë interpretim është mirë që ta kishte sqaruar ky raport, por më shumë e ka për detyrë PD-ja që t’i japin një përgjigje shterruese.

Bëhet fjalë për pyetjen: Po nëse në zgjedhje refuzon të marrë pjesë Partia Socialiste, qoftë sot në pushtet, qoftë nesër në opozitë, si do të vepronte PD-ja në këtë rast? A do të kishte kuptim që PS dhe PD t’i ngrinim në rang kushtetues ku të theksonim që mungesa e njërës prej këtyre dy partive në zgjedhje e pamundëson zhvillimin e tyre deri në momentin kur partia refuzuese ndryshon mendje dhe vendos të marrë pjesë?!

Precedenti që donte të vendoste PD-ja, ku me bojkotin e saj të impononte dhunshëm zhvillimin e zgjedhjeve, jo vetëm përtej çdo afati kushtetues, por atëherë kur lidershipi i saj ta ndjente që ishte gati të ballafaqohej me PS-së, ishte një skenar kaq i rrezikshëm, saqë nuk do mund të dilnim dot nga ky qerthull në asnjë palë zgjedhje që do pasonin.

Një tjetër pikë që cekte raporti dhe ku Gazbardhi kapet si i mbyturi pas fijes së barit, është ekspozimi i administratës ditën e zgjedhjeve. Është e kuptueshme që bojkoti i zgjedhjeve nga PD i ekspozonte disi votuesit që shkonin ose jo tek qendra e votimit.

Por, kjo nuk do të thotë gjithçka. Të votosh është një e drejtë njerëzore dhe personalisht hyj tek ata njerëz që s’ka parti që më detyron t’i bojkotoj zgjedhjet. Votuesi që nuk e gjen emrin e partisë apo të kandidatit të saj në listë për shkak bojkoti, ka edhe alternativën e nxjerrjes së fletës së votimit të pavlefshme. Pra, të regjistrosh emrin si votues nuk do të thotë domosdoshmërisht se ke votuar për atë parti që është qoftë edhe e vetme me kandidat në zgjedhje. 30 qershori na tregoi se fletë të pavlefshme rezultuan disa mijëra.

Për të mos thënë edhe anën tjetër. Që mungesa e PD në zgjedhje, demotivoi edhe një pjesë të elektoratit socialist për të dalë në votime, pasi fitorja pa rivalë ishte tashmë e sigurt. Pra, këta nuk mund të konsiderohen as si elektorat i djathtë e as si bojkotues, por si moskokëçarës që u dhanë prioritet agjendave personale e familjare të asaj dite të diel, meqë kandidati i partisë së tyre dihej që do fitonte.

Natyrisht, raporti ka edhe shumë aspekte që bën me faj Partinë Demokratike dhe gjithë mënyrën se si ajo e menaxhoi situatën deri ditën e zgjedhjeve, por unë u ndala vetëm në këto dy çështje që Gazbardhi deshi të na i shërbejë si motiv që zgjedhjet e 30 qershorit kanë rënë.

Ai dhe shefi i tij janë ende në kohë për të marrë pjesë në komisionin e reformës zgjedhore ku adresohen edhe rekomandimet e ODIHR-it. Komision që nuk e begenisën përpara djegies së mandateve dhe as deri në prag të fushatës së 30 qershorit, pavarësisht ftesave të njëpasnjëshme nga Partia Socialiste dhe nga kryeministri Rama. Është po kjo pari, që edhe pse PD është jashtë sistemit politik, sërish i njeh te drejtën asaj të ketë veton në vendimmarrjen e komisionit.

Partia Demokratike le të bëjë si të dojë, por nëse e bojkoton këtë komision, kjo nuk do të thotë që puna e tij s’do të vijojë e reforma s’do të miratohet. Vetëm se pastaj të mos fillojë avazin e vjetër: jo s’na pyetët, jo s’na ftuat, jo s’dinim gjë. Kur të kthjellohen, mbase do e kuptojnë që kanë humbur edhe zgjedhjet e vitit 2021.