Partia Demokratike është distancuar nga deklarata e presidentit Meta sot në Komisionin Hetimor ku tha se dekreti për të anuluar 30 qershorin erdhi për shkak se kishte marrë informacione nga institucione të rëndësishme të sigurisë, se në protestën antiqeveritare të opozitës më 8 qershor do të digjej Kuvendi.

PD ka dalë kundër Metës duke thënë se ata nuk kishin ndërmend ta bënin një gjë të tillë, por sipas pretendimeve të tyre ishte kryeministri Rama që do të thurte skenare dhune për ta lënë fajin më pas tek opozita.

Me anë të Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi, PD thotë se Komisioni Hetimor për Metën është një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë.

“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit.Partia Demokratike fton mediat të hapë arkivat e javëve përpara 30 qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës.Në këtë këndvështrim, duhet të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh se “nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri”. Të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin nazist pas ardhjes në pushtet pak kohë para djegies së Rajshtagut.Partia Demokratike e konsideron komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit si një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës, ndërsa anëtarët e këtij komisioni, personazhe të dosjeve 184 dhe 339, si bashkëpunëtorë të krimit në vjedhjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare” tha Gazmend Bardhi.

Nga ana tjetër Presidenti Meta përballë Komisionit Hetimor ka deklaruar se dokumentet që ai kishte për skenaret e dhunës nga opozita t’ia vë në dispozicion edhe deputetëve anëtarë të komisionit parlamentar. Kujtojmë që në protestat e zhvilluara nga opozita pak kohë para zgjedhjeve u ushtrua shumë dhunë, ku nuk munguan bombolat molotov, kapsollë, shashka e shtyrje të policisë.