Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe deklaroi sot se patenta shqiptare është një nga më të sigurtat në Europë.

I ftuar në një studio televizive, Gonxhe foli për pengesat që ndeshen në disa vende për njohjen e patentës shqiptare.

Gonxhe tha se “patenta shqiptare ka 35 elementë sigurie, është shumë cilësore dhe ia kalon edhe shumë vendeve në Europë”.

“Ka disa rajone në Itali apo në vende të tjera që kanë vonuar zbatimin e qarkoreve të brendshme të vetë shtetit italian. Askush në Shqipëri nuk mund të ndikojë për këtë gjë. Ka që e zbatojnë në mënyra të ndryshme. Është pavarësi e tyre vendore, janë shtete që kanë mënyrat e tyre të brendshme, ka Lande si në Gjermani”, tha Gonxhe.

Ai tha se “ne u kemi ofruar mundësinë që të vijnë të shikojnë nga afër gjithë procesin e pajisjes me patentë në Shqipëri dhe të rrisin besimin”.

“Procesi i marrjes së patentës ka pasur përmirësime, por probleme me marrjen e patentave kudo. Ka raste dhe në Greqi që patenta merret pa meritë. Ne kemi testet më korrekte, më objektive, me sistem të informatizuar dhe një patentë të sigurt. Detyrat tona janë bërë të gjitha që këto shtete të na pranojnë, por diku ka një Land, diku është një politikë shtetërore”, tha Gonxhe.