Gati 30 vjet pasi u hodhën themelet për ndërtimin e tij, Muzeu Arkeologjik i Durrësit synon të hapë eksponatet e mesjetës dhe arkeologjisë nënujore, ndërsa institucioni do të marrë statusin e ‘muzeut kombëtar’.

Nga Gëzim Kabashi/

Muzeu Arkeologjik i Durrësit kohët e fundit ka marrë statusin “Muze Kombëtar”, i pari i këtij lloji në shkallë vendi. Qytetit bregdetar i jepet mundësia jo vetëm të shtojë numrin e vizitorëve, por edhe të ruajë më mirë trashëgiminë kulturore.

Ndërkaq, konkretizimi i ligjit kërkon zgjidhjen e disa problematikave, që nisin nga mungesa e dokumenteve të pronësisë dhe platformës ideore fillestare të Muzeut, deri te ngritja e godinave ndihmëse dhe pavarësia financiare e tij. Më pas edhe vendosja e emrit të një arkeologu-simbol, siç e kërkojnë intelektualët dhe qytetarët e Durrësit.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Alban Ramohito tha për BIRN se “zbatimi i ligjit nr 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” ka përcaktuar një grup prej rreth 20 specialistësh që do të punojnë në Muzeun Kombëtar Arkeologjik të Durrësit.”

“Arkeologët, restauruesit, skicografët, guidat, etj. do të kryejnë veprimtarinë e tyre jashtë mjediseve të ekspozimit, në një godinë që do të ngrihet në oborrin e pasmë të Muzeut,” shton drejtori Ramohito, sipas të cilit Ministria e Kulturës do të përcaktojë së shpejti edhe të ardhmen e dy kateve të sipërm të Muzeut, të cilët aktualisht janë bosh.

“Kati i dytë, me një projekt thuajse të gatshëm do ti kushtohet ekspozimit të gjetjeve që i përkasin periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës në Durrës” nënvijëzoi Ramohito, i cili shtoi “në katin e tretë pritet të vendosen të gjitha objektet e zbuluara në pjesën nënujore detare pranë qytetit”.

Pronësia dhe platforma, mungesat që kërkojnë zgjidhje

Ndërtimi i ndërtesës së muzeut arkeologjik të Durrësit ka nisur në fund të viteve 1980 dhe ceremonia e përurimit i përket vitit 2002.

Megjithatë në hartat, kadastrën dhe në planimetritë e qytetit nuk ka asnjë shenjë të godinës me tre kate, që ndodhet në krahun e djathtë të shëtitores “Taulantia”, vetëm 300 metra larg godinës së ndërtesës së muzeut të vjetër. Bashkë me praktikën e hipotekimit të godinës në Kadastrën e Durrësit po punohet edhe për përcaktimin e sipërfaqes së pronës.

Drejtori i muzeut Alban Ramohito pranon se në pjesën periferike të oborrit ka një banesë abuzive. “Sidoqoftë, të gjitha pretendimet e mundshme janë bllokuar, deri në zyrtarizimin e pronësisë së Muzeut – vlerëson ai.

Risistemimi i katit të parë, si dhe plotësimi i dy kateve të tjerë të tij kanë gjithashtu një ngërç, për zgjidhjen e të cilit po punohet nga specialistët.

“Bashkë me dokumentet e ndërtimit, aktualisht mungon edhe platforma shkencore mbi të cilën në vitet 1990 është ngritur muzeu më i madh arkeologjik i vendit tonë,” shprehet Alban Ramohito.

Sipas Ramohitos, ky element do të lehtësonte edhe paraqitjen e projektit përfundimtar të eksponateve të Mesjetës dhe të Arkeologjisë nënujore.

Bashkë me pavijonet e mëdha në Muzeun Arkeologjik, është parashikuar edhe krijimi i një hapësire ekspozimi brenda dhe jashtë muzeut, dedikuar prezantimit të objekteve të zbuluara në Durrës gjatë viteve të fundit.

“Deri tani në muze janë paraqitur 2,700 objekte, ndërsa numri i tyre në fondet e muzeut është dhjetë herë më i madh,” shton drejtori Ramohito.

Kjo pjesë e re e Muzeut do të mundësojë njohjen me objektet e zbuluara nga arkeologët vendas, por edhe nga ekspeditat e përbashkëta me specialistë nga Italia, Franca, etj.

Më shumë vizitorë në muze dhe amfiteatër

Vetëm gjatë 8 muajve të parë të këtij viti Muzeu Arkeologjik dhe Amfiteatri I Durrësit kanë regjistruar mbi 29 mijë vizitorë, një numër në rritje turistësh vendas dhe të huaj. Por statusi i ri pritet ti japë Muzeut më shumë pavarësi financiare, në dobi të mirëmbajtjes dhe promocionit të vlerave arkeologjike.

Drejtori Ramohito zbulon gjithashtu se Muzeu do të jetë pjesa më e rëndësishme e Qendrës Muzeore Durrës, që siç e përcakton Ligji nr 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe Muzetë” është institucion me status “muze kombëtar”, në varësi të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, me seli në qytetin e Durrësit, e cila administron Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë dhe Parkun Arkeologjik Durrës, kufijtë e të cilit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

“Vizitorët e Muzeut Arkeologjik mund ta shohin atë si stacionin kryesor të guidës, në të cilën bëjnë pjesë edhe amfiteatri, forumi rrethor, termat antike dhe muret mesjetare,” tha Ramohito.

Sipas Ligjit për trashëgiminë kulturore i gjithë territori i Durrësit, nga bregdeti deri në Porto Romano, përfshirë edhe zonën e ish-kënetës do të konsiderohen “Park Arkeologjik”.

“Kujdesi i institucioneve për to nuk do të jetë më sipas ndarjes së mëparshme “zona A” dhe “zona B” e riskut arkeologjik,” sqaroi Ramohito, sipas të cilit nëntoka e Durrësit do të trajtohet e gjitha me të njëjtin kujdes, pasi ajo “vazhdon të befasojë me gjetje të reja arkeologjike në të gjithë skajet e saj”.

Një VKM e muajit të kaluar ka vendosur ndryshimin e emërtesës së Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare DRKK në të gjithë vendin, të cilat në të ardhmen do të quhen Drejtori Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK).

Por në Durrës kjo sjell më shumë se sa një ndryshim i thjeshtë emërtese.

DRKK, që deri tani ka ushtruar kompetencat e saj në qytetin bregdetar, do të transferohet në Tiranë. Një vështirësi më shumë për të trajtuar dhe konservuar nga kryeqyteti zbulimet e shumta arkeologjike ndër vite të qytetit të lashtë të Durrësit.(Birn)