Pas akuzave të Partisë Demokratike në Fier se një furgon i Rilindjes po shpërndante miell në qytet, pikërisht sot ditën e votimeve, vjen edhe reagimi shoferit.

Ai është Emiljano Mali dhe thotë se furgonin e ka të licensuar për transport pasagjerësh.
“Bëj çdo ditë linjën Libofshë- Fier. Edhe sot si gjithmonë bëra punën time. Zotëria bleu sojë për ta sjellë në shtëpi, nga Fieri në Libofshë. Dy thasët i vendosi në furgon dhe do iknim në fshat. Është bërë foto nga PD pasi furgoni është i veshur me logon e Partisë Socialiste. Njerëz të PD e shfrytëzuan rastin. Sa i hodhëm në furgon erdhën filmuan dhe e postuan në internet. Nuk kam bërë asgjë të jashtëligjshme, vetëm punën time”, thotë ai.

Ndërkohë, pasagjeri Davidh Kola thotë se thasët ishin të tijtë dhe brenda tyre kishte sojë dhe jo miell. Ai shton se i kishte blerë në Fier dhe po i çonte në banesën e tij në Libofshe.

“Shkova për të blerë sojë në pazar. E kisha bërë dhe herë tjetër. E hodha në furgon për të ardhur në shtëpi. Thasët i bleva në treg. Ky është furgoni i linjës. Morëm koncentraton e sollëm në shtëpi”, shton ai.