Në harkun kohor të dy javëve ndodhin dy vizita të rëndësishme në Tiranë, një nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tjetra nga Bashkimi Europian. Emëruesi i përbashkët i këtyre vizitave është se në të dyja rastet shmanget nga agjenda e takimeve presidenti Ilir Meta.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk mbërrin këtë të martë në Tiranë nga Shkupi, pas takimeve me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe me kryeministrin Zoran Zaev. Kryetemë e këtyre takimeve është hapja e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Por, megjithëse tema është e njëjtë si në Shkup, ashtu edhe në Tiranë, agjenda e takimeve nuk është e tillë. Presidenti i Këshillit Europian nuk do të takohet me presidentin Ilir Meta.

I vetmi takim i tij do të jetë me kryeministrin Edi Rama rreth orës 15:00. Takimi pritet të zgjasë rreth 30 minuta, për të nisur më pas një ceremoni dorëzimi medaljeje dhe më vonë një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar.

Mungesa e një takimi me “homologun” Ilir Meta bie në sy, aq më tepër që është rasti i dytë brenda dy javëve.

I pari që shmangu Ilir Metën ishte drejtori në Zyrën për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik.

Ai u takua me Gramoz Ruçin, Edi Ramën, Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin e deri edhe me Taulant Ballën, Ralf gjonin e rudina Hajdarin, por jo me Ilir Metën.

Të gjitha këto elementë ngrenë një pyetje të madhe, nëse “shmangia” e presidentit Ilir Meta dy herë brenda pak ditëve është rastësi e kushtëzuar nga koha dhe tema e diskutimeve, apo një “izolim” ndërkombëtar i presidentit?