Nga Ardit Rada

Ilir Meta është rikthyer sot në punë ku ditën e parë ia ka kushtuar sulmeve ndaj Komisionit Hetimor që Parlamenti ka ngritur për të. Përmes pesë radhëve në Facebook, më tepër se çdo gjë, ai tregoi habinë sesa seriozisht e ka marrë mazhoranca shkarkimin e tij nga detyra. Në mënyrë të pakuptimtë, Meta e cilësoi propagandë punën e komisionit ndërkohë që ky i fundit po ezauron të gjitha etapat e ligjore për ta nxjerrë përfundimisht nga zyra.

Por ajo që e bën qesharake formacionin mbrojtës të Presidentit, janë zërat brenda komisionit që po mundohen t’i japin atij kohë, me gjasë për të vijuar lojën e dekreteve. Sot Ilir Meta ka mbetur në dorën e një ballisti dhe të një ish-deputeti të Berishës. I gjithë propozimi i tyre vërtitej rreth idesë se Kreu i Shtetit nuk mund të shkarkohet pa u formuar Gjykatës Kushtetuese. Rreshtimi i këtyre zërave në favor të Metës tregon sesa i vetmuar përditë e më shumë është ai në betejën me Kuvendin. Dhe këtu e ka zanafillën edhe sulmi ndaj Komisionit Hetimor.

Por panoramën e fillimit të shtatorit e bën më të pakuptimtë edhe vetë Presidenti, i cili krahas sulmit për Komisionin kërkon zgjedhje në 13 Tetor. Pas kritikave limonadë ndaj Lulzim Bashës se përse nuk kërkoi zgjedhje në këtë datë si Petrit Vasili, Meta tani po nxit atë që dikur e neveriste. Në shkelje të të gjitha afateve ligjore për të pasur zgjedhje në këtë datë, ai po propozon një marrëveshje pa moral tashmë. Pra po kërkon një marrëveshje politike si ajo Rama-Basha dy vite më parë, ku Nishani pranoi datën e marrëveshjes dhe jo atë të ligjit. Dhe ndryshe nga viti 2017, Meta garanton bekimin e tij për këtë opsion.

Të gjithë këtij propozimi ai i vesh ambalazhin e integrimit, ndërkohë që vetë Bashkimi Evropian, SHBA dhe OSBE i kanë njohur njëherë zgjedhjet lokale të këtij viti dhe nuk kanë vënë ndonjë kusht të tillë për negociatat.

Nga ana tjetër, në asnjë moment Presidenti nuk garanton se pesë ditë pas një 13 Tetori të mundshëm, do të hapen negociatat. Dhe s’ka sesi ta dijë një gjë të tillë.

Së pari sepse e kaloi beharin nga deti në mal, në vend që të lobonte fjala bie për integrimin në dyert e perëndimit. Së dyti, sepse institucionet dhe shërbimet partnere, siç ka thënë, e informojnë vetëm për tërmete dhe luftëra civile.