Prej 5 dekadash të lënë në harresë, së shpejti qeveria do të nisë një investim të rëndësishëm në rrjetin e ujësjellësit të Krujës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve do të nisë shumë shpejt punën për ujësjellësin e Krujës, që do të garantojë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë për 17 500 banorë të kësaj zone”.

Sipas ministrisë, ky ujësjellës do të ketë një rrjet sipas standardeve më të larta, pasi furnizimi aktualisht me vetëm 3 deri 4 orë ujë në ditë në Krujë është një problem i trashëguar në vite.

Në një interpelancë të zhvilluar me banorët e qytetit të Krujës në qershor të këtij viti, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se “investimi i qeverisë do të bëjë ndërhyrje të thellë në ujësjellësin e Krujës dhe në vitin 2020 do t’i jepet zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë banorët e zonës së Krujës”.