Më 25 nëntor, pra ditën e hënë, Partizani do të duhet të luajë jashtë fushe, edhe pse teorikisht në kalendar e ka të shënuar brenda fushe. Në fakt, sfida ndaj Laçit, që duhet të luhej në “Selman Stermasi”, për shkak se klubi bardheblu po rregullon fushën, do të zhvillohet në “Elbasan Arena” sipas vetë postimit të klubit të kuq.

Partizani kthehet të luajë në Elbasan që pas herës së fundit, javën e parë të kampionatit, ndaj Kukësit, ku u mund 1-0. Po në atë fushë, në Superkupën e Shqipërisë, arriti të fitonte ndaj verilindorëve. Megjithatë, fakti është se rreshtjet e këtyre ditëve (do të vazhdojnë) por edhe ndeshjet e zhvilluara nga kombëtarja A (ndaj Andorrës) dhe U-20 (miqësore me Kroacinë) e kanë prishur jo pak terrenin.

Kukësi, ndërkohë, që luan brenda fushe, pikërisht në Elbasan do të luajë një tjetër ndeshje, atë përballë Bylisit, ditën e shtunë. Praktikisht, në harkun kohor të 10 ditëve, 4 ndeshje në Elbasan Arena.