Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, u ka thënë të hënën zyrtarëve të Malit të Zi se me aemërimin e tij në këtë post, Shtetet e Bashkuara dëshmojnë se janë sërish më të përfshira në rajon.

Palmer qëndroi të hënën në Podgoricë, ku u takua me presidentin Milo Gjukanoviç, kryeministrin Dushko Markoviç si dhe zyrtarë të tjerë të Malit të Zi.

Sipas një njoftimi nga zyra e Presidentit malazez, cituar nga VOA, Palmer ka theksuar se “përparësi e tij janë hapja e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, rihapja e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe gjetja e një zgjidhjeje për funksionalizimin e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Mali i Zi është një gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërsa është vendi i 29-të i NATO-s pjesë e se cilës u bë dy vjet më parë.

Palmer i cili u emërua përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo më 30 gusht, pak pas marrjes së detyrës tha se qëllimi i tij është t’i kthejë Kosovën dhe Serbinë “në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje” normalizimi ndërmjet tyre.