“Pakti për Universitetin është angazhim i përbashkët, për të ecur së bashku përpara, duke ndërtuar hap pas hapi, botën e re universitare siç kemi nisur qysh prej protestës studentore”, tha sot Kryeministri Edi Rama.

I pranishëm në ambientet e Universitetit të Mjekësisë me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2019-2020, Rama iu drejtua studentëve duke theksuar se “tashmë kemi hapur një rrugë të re për të gjithë ata që janë më të mirët”.

“Ne po punojmë që të përfshijmë gjithë ata që duan të kontribuojnë në një nga institucionet e gjithë kësaj sfere të rëndësishme të jetës së shëndetësisë, apo në praktikën spitalore”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “sot ne kemi një numër të konsiderueshëm studentësh ekselentë që tanimë janë përfshirë në punë falë rezultateve të tyre dhe pa asnjë lloj filtri tjetër”.

“Një thirrje e re është hapur duke e shtrirë gamën e prurjeve deri në vitin 2015, për të gjithë ata që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera. Pa diskutim që ai që del me rezultatet më të mira do ta ketë derën e hapur për kontribuar pa qenë i detyruar të kërkojë rrugë të vjetra dhe të ndërmjetme, sepse çdo vit do të forcohet më tutje kjo marrëdhënie e drejtpërdrejt pa filtra e tregut të punës, institucioneve tona dhe atyre që në fund të një periudhe të vështirë studimesh rezultojnë se janë më të mirët”, tha Rama.