Procesi i përmirësimit të kushteve të banimit për studentët në të gjithë Shqipërinë po vazhdon me ritëm të lartë. Këtë herë ishte konvikti i vajzave në Vlorë, i cili u inspektua nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini.

Studentet e konviktit të Vlorës, brenda muajit Janar 2020 do të kenë një godinë tërësisht të rinovuar me kushte të përmirësuara ngrohjeje dhe izolimi, kuzhinë dhe dhomë studimi në çdo kat etj.

“Pakti për Universitetin” ka vënë në fokus nevojën e zbatimit të projekteve infrastrukturore për të gjitha universitetet publike në Shqipëri. Rreth 10 mijë studentë janë ata që do të akomodohen në këto kushte moderne në qytetet Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan.

Ky investim bëhet me buxhetin e MASR të kaluar me VKM tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), si dhe me një fond të akorduar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, po për FSHZH-në.

Publikimet e ditëve të fundit në lidhje me uljen e buxhetit të MASR për arsimin e lartë janë krejtësisht një keq-lexim i shifrave, pasi rreth 200 milionë Lekë nga buxheti i ministrisë i janë dedikuar rehabilitimit të konvikteve në disa qytete, duke i kaluar FSHZH.