Kur Manchester United shkëmbeu Henrikh Mkhitaryan me yllin e Arsenalit, Alexis Sanchez, në janar 2018, dukej një nga “bizneset” më të mira, të bëra në “Old Trafford” ndër vite. Alexis kishte shënuar 80 gola dhe dhënë 45 asiste në 168 ndeshje, ndërsa Mkhitaryan u largua pa i përmbushur pritshmëritë e blerjes nga Borussia Dortmund. Pak më shumë se 18 muaj më vonë, marrëveshja mund të konsiderohet shumë e keqe për “Djajtë e Kuq”. Alexis ka qenë hija e vetvetes, edhe pse mbetet futbollisti më i paguar në Premier League.

30-vjeçari merr një pagë bazë prej 391.000 stërlina në në javë, ndërsa fiton edhe bonuse të tjera, 75.000 stërlina për një ndeshje si startues dhe një tarifë vjetore prej 1.1 milionë stërlina. Të gjitha këto të ardhura përbëjnë shumën totale të 20 milionë stërlinave të fituara në sezon. Sipas “Daily Mail”, klubi po paguan ende 5 milionë stërlina për agjentët, të njëjtën shifër që Alexis do të merrte bonus nëse luante 30 ndeshje si titullar në një sezon të vetëm.

Për fat të mirë për Glazers, 30-vjeçari startoi vetëm 13 herë në sezonin e kaluar… Që nga 19 gushti 2019, Sanchez i ka kushtuar Manchester United rreth 55 milionë stërlina vetëm për pjesën themelore të kontratës, pa përfshirë bonuse që lidhen me performance. Edhe 96.8 milionë stërlina të tjera të ardhura do të shkojnë në xhepat e tij, nëse qëndron në “Old Trafford”. Tepër depresionues për pronarët është fakti se, me vetëm 5 gola dhe 9 asiste në 45 ndeshjet e tij si “Djall i Kuq”, ai nuk vlen kurrsesi të tilla shpenzime stratosferike.

Sanchez, në thelb ka fituar 11 milionë stërlina për një gol të vetëm te Manchester United, ose 6.1 milionë stërlina për një asist, plus 2.5 milionë stërlina për një goditje në kuadrat, 1.7 milionë stërlina për një ndeshje si tartues, 1.2 milionë stërlina për një ndeshje të luajtur, 764 mijë stëlrina për një shans të krijuar dhe 19.800 stërlina për një minutë të luajtur. Nën dritën e një bilanci të tillë, nuk është çudi që Ole Gunnar Solskjaer dhe klubi po përpiqen ta shesin kilenin, por askush nuk merr përsipër pagën e tij të madhe. Interi ka pasur interes për të, por raportet e fundit tregojnë se zikaltrit nuk janë gati të mbulojnë as gjysmën e pagës së tij javore. /Telesport