Një pamje krejt të re ka marrë sot sheshi ‘Skënderbej’, ndërsa është pushtuar nga dhjetra makina të stilit ‘retro’. Në një lidhje të dretpërdrejtë me gazetaren Erjola Jata, në News24, kreu i DPSHTRR, Blendi Gonxhe dha edhe lajmin e mirë për koleksionistët e këtyre makinave, ndërsa u shpreh se nga 1 janari i vitit që vjen hiqen taksat për makinat me vlera historike.

“Janë automjete që në kohën e para luftës, që në kohën e Mbretit Zog. Janë automjete private, janë koleksione të personave të ndryshëm që janë kujdesur nga një anë t’i mbajnë, nga një anë t’i restaurojnë. Mbrëmë shpërndamë çmime, për ‘shpëtimtarë’ të këtyre makinave, sepse shumë prej tyre janë rrezikuar nga koha nga ndryshku nga rreziku që të zhdukeshin. Janë makina të rralla, psh. automjeti i ish-diktatorit Hoxhës, janë vetëm 3 në të gjithë botën. Pra, ka automjete me vlera unikale.” -u shpreh Gonxhe, ndërsa ky aktivitet lancohet në këtë 20 vjetor të DPSHTRR-së, që vjen si bashkim jubilesh edhe i 105 vjetorit nga dita kur një shqiptar për herë të parë në jug të vendit ka pasur një automobil, që vjen për 95 vjetorin e shërbimit që ka lindur me dekret të vitit 1924, por DPSHTRR që njohim sot si Ent është formuar në ’99 si ent, sepse janë bashkuar shërbimet.

Gonxhe sqaroi ndër të tjera se regjistri retro do të jetë një sistem i pavarur nga DPSHTRR, do të jetë komplementar i regjistrit të mjeteve të Shqipërisë, por këto mjete kanë disa karaktersitika e veçori.

“Nga 1 nëntori këto mjete mund të regjistrohen në regjistrin retro të Republikës së Shqipërisë ndërsa nga 1 janari këto mjete do të gëzojnë benefite të tjera fiskale, si psh nuk do të paguajnë taksat vjetore të qarkullimit do të kenë trajtim të vecantë me anë të një VKM.” tha Gonxhe.