Qeveria gjen para për të paguar orët shtesë të punonjësve të policisë. Fondi i vënë në dispozicion është 450 milionë lekë. Punonjësit e uniformave blu do të kenë në llogaritë e tyre gjatë muajve nëntor dhe dhjetor pagesat për orët shtesë të pa paguara deri tani. Ndërkohë edhe fermerët do të marrin kompensimin për çmimin e qumështit, për të cilin është vënë në dispozicion një fond prej 200 milionë lekësh. Parlamenti miratoi dje Aktin Normativ Nr. 2 “Për disa ndryshime në ligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, ku janë parashikuar edhe fondet për orët shtesë të punonjësve të policisë dhe kompensimin për çmimin e qumështit për fermerët. Në katin normativ është parashikuar edhe një fond prej 300 milionë lekësh për Skemën e Personave me Aftësi të Kufizuar 120 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit IT të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrinë e Arsimit një fond prej 300 milionë lekë për Arsimin Bazë.

Akti normativ
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi dje në seancë plenare Aktin Normativ Nr. 2 “Për disa ndryshime në ligjin “Për Buxhetin e vitit 2019”. Ministrja bëri një përmbledhje të zhvillimeve kryesore makroekonomike të deritanishme dhe tha se sektorët kryesorë të ekonomisë vazhdojnë të përmirësohen, pavarësisht një ngadalësimi të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit për shkak të faktorëve të përkohshëm.

“Treguesit kryesorë të ekonomisë gjatë tremujorit të dytë dëshmojnë për bazat e forta në disa drejtime: ecurinë pozitive në tregun e punës kur papunësia u ul nën nivelin prej 12% dhe punësimi u rrit me 3.3%; stabilitetin financiar dhe përshpejtimin e kreditimit të ekonomisë, ku kreditë me probleme janë ulur deri në nivelin e 11%, ndërsa kreditimi i sektorit privat të ekonomisë është zgjeruar për tre tremujorë rresht të vitit, duke regjistruar një rritje prej mbi 7% kundrejt një viti më parë; -qëndrueshmërinë e financave publike dhe vijimin e konsolidimit fiskal, ku pritshmëria e deficitit buxhetor mbetet nën 2% nga 5% të PBB-së në vitin 2013, ndërsa borxhi publik neto është reduktuar vitet fundit nga niveli më i lartë prej 71.9% të PBB i regjistruar në vitin 2015 në rreth 64% i pritshëm për vitin 2019”-tha Denaj.

Sipas ministres investimet e huaja direkte janë rritur me 10% në tremujorin e parë dhe me pothuajse 20% në tremujorin e dytë. Ministrja Denaj vuri në dukje se rezultatet paraprake fiskale deri në shtator 2019 tregojnë se realizimi i përgjithshëm i buxhetit mbetet plotësisht në përputhje me objektivat dhe parametrat kryesorë fiskalë. Në fjalën e saj, ministrja Denaj informoi se arsyet kryesore të paraqitjes së Aktit Normativ janë: Garantimi i financimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, në vijim të situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të datës 21 shtator 2019; Kompensimi i disa zërave të shpenzimeve buxhetore, të prekura në 2019 për efekt të financimit të Paktit për Universitetin; Reflektimi i ecurisë optimale të të ardhurave vendore, gjatë gjysmës së parë të vitit 2019. Rritja e eficiencës së përdorimit të burimeve publike për rialokimet drejt projekteve të investimeve me progres të mirë deri tani. Gjithashtu, Denaj sqaroi se disa prej synimeve kryesore të këtij Akti Normativ janë Ruajtja e nivelit të planifikuar në buxhetin e vitit 2019, të parametrave kryesorë makroekonomikë, si dhe sistemime dhe/ose rialokime të tjera pa kosto shtesë efektive mes zërave të shpenzimeve buxhetore, por të cilat ndikojnë ndjeshëm në rritjen e performancës së pritshme të realizimit të treguesve në fund të vitit 2019./GSH.al