Nga Mero Baze

Askush nuk vë dot bast, nëse PD do të mbijetojë apo jo pas dy vitesh, nga ky cikël i egër i bojkoti dhe ikjes prej zgjedhjeve. Por si një parti që ende ka një bazë historike, edhe pse të zhgënjyer, dhe një histori 30- vjeçare, ajo mund të rrudhet shumë, por mund të mbijetojë, duke ndarë elektorat me partitë e reja që po formohen. Por e sigurtë është, që partitë e vogla aleate me të, do të asgjesohen.

Pesë partitë e vogla të koalicionit opozitar, të cilat deri tani kanë jetuar si këpushë në vithet e PD, tani nuk kanë më asnjë shans për të mbijetuar.

Në zgjedhjet e vitit 2017, të pesta këto parti që kanë vetëm kryetarë, ju bashkangjitën çadrës dhe i qëndruan besnikë Lulzim Bashës, pasi ky i fundit iu premtoi vende në Parlament, në shkëmbim të spastrimit politik të kundërshtarëvet tij, brenda partisë. Pra, pesë kryetarët aleatë të Bashës, u përdorën si garniturë politike për të pastruar hesapet me kundërshtarët brenda partisë.

Dhe skema funksionoi. Basha i futi Shehin, Mediun, Ndokën, Dulen dhe Dukën në listat e PD, duke hequr Topallin, Boden, Patozin, Bregun, Rulin, Imamin etj, të cilët secili më vete kanë vota më shumë se secili prej kryetarëve aleatë të Bashës, që i zëvendësuan.

Tani historia po përsëritet, por jo fati i saj. Pas këtij bojkoti, PD kalon në kufijtë e mbijetesës dhe elektorati i vogël dhe i papërfillshëm i këtyre partive të vogla, ose i bashkangjitet partive të reja, ose eleminohet fare, duke votuar partitë e tjera në garë.

Elektorati i partive të vogla nuk është as ideologjik, as historik, por thjesht pragmatist. Ata janë bërë me partitë e vogla për interesa të vogla dhe kur këto parti nuk janë më në garë, ata nuk kanë pse qëndrojnë me ta.

Ndaj rezultati i sigurtë i këtij bojkoti, është shkrirja e pesë partive të vogla dhe LSI-së, dhe mbijetesa e dhimbshme e PD, e cila ende nuk është e sigurtë.

Pas dy vitesh, skena politike shqiptare do të transformohet thellë, pasi rënia e PD do të marrë pas dhe Partinë Socialiste, e cila do të ketë nevojë ose të reformojë bazën e saj ideologjike, duke u kthyer majtas, ose të degradojë si parti establishmenti.

Ndaj të gjithë ata që bëjnë llogari për të përmbysur sistemin, duke menduar se sistem quhet pjesa e pushtetit, në fakt janë duke prerë pemën ku kanë hipur. Dhe mire po bëjnë.

Shqipëria ka nevojë për një riformatim të klasës politike, dhe megjithëse duket regresiv, akti i PD-së mund të jetë më pozitivi në historinë tonë, pasi mund të jetë fillimi i ndryshimit të madh, duke nxjerrë nga skena partitë tradicionale 30- vjeçare, pas aktit kamikaz të PD-së.

Cikli i pastrimit duket se po fillon me aleatët e PD, LSI, PD, e pastaj nevojën për ndryshim në PS.

Alarmi i partive të vogla që tashmë kërkojnë tryezë me presidentin dhe zgjidhje të minutave të fundit, nuk është gjë tjetër veçse kthjellimi, se janë orët e fundit të tyre në politikë.

Por problemi është se janë orët e vona, dhe nuk ka kush i shpëton. Kapiteni i anijes ku ata kanë hipur, është i detyruar t’i hedhë në det, si ngarkesë e tepërt, me shpresë se vet do të dalë në breg.

Nëse ka gjë të sigurtë pas 30 qershorit, nuk është se s’do ketë më PD. Ajo është ende e disktueshme. Por e sigurtë është, se nuk ka më Mehdiu, Shehi, Ndoka, Duka, Dule dhe Monika. Këto janë parti interesash dhe pas 30 qershorit, askush nuk ka më interes për ta. As PD.