Pas protestës së dhunshme të shtunën që u mbyll pas mesnate, opozita do të zbresi përsëri në shesh pasditen e sotme.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha njoftoi se opozita do të mblidhet në orën 18:30 para Kryeministrisë për protestën e pestë kombëtare me qëllim largimin e Ramës.

“Asgjë nuk i ndal shqiptarët që luftojnë për liri, për standartet europiane. Shpresa është ndezur! Pushteti i krimit nuk e fik dot më, sot jemi më të fortë se kurrë. Asnjë hap pas kundër krimit kundër dhunës për Shqipërinë si gjithë europa.”-shkruhet në spotin e publikuar, duke i drejtuar në këtë mënyrë një mesazh qytetarëve që të jenë nesër të pranishëm.

Ndërkohë 50 persona u arrestuan pas protestës së dhunshme të opozitës para kryeministrisë, Parlamentit dhe drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërkohë në total janë 84 persona të proceduar, mes të cilëve ish-deputetët Gent Strazimiri, Flamur Noka dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.