Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Tiranë me kërkesë të Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me çështjen e shkarkimit të Presidentit të Republikës.

Ruçi ka deklaruar se opinioni i këtij Komisioni është një kontribut për jurisprudencën shqiptare, duke shtuar se shpreh mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e shpejtë, konstruktiv dhe cilësor mes vendit tonë dhe Komisionit të Venecias.

Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar Komisionit të Venecias për disa reforma të rëndësishme ose çështje me interes të veçantë, si reforma në drejtësi, vettingu i funksionarëve të lartë, procedurat në lidhje me shkarkimin e Presidentit të Republikës, ligjin për pronësinë si edhe nismën legjislative të zgjedhësve.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi, vlerësoi gatishmërinë e angazhimit të Komisionit të Venecias, megjithë kohën e shkurtër të adresimit të kërkesave; seriozitetin e vizitave të ekspertëve të Komisionit në Shqipëri si edhe cilësinë e lartë të raporteve paraprake dhe përfundimtare të opinionit të Komisionit.

” Mirënjohje për bashkëpunimin e shpejtë, konstruktiv, cilësor. Maksimalisht të angazhuar për funksionalitetin Gjykatës Kushtetuese. Opinionet e Komisionit të Venecias, kontribut për jurisprudencën shqiptare” ka thënë ndër të tjera Ruçi.