Ditën e sotme, Drejtoria e Hetimit Tatimor, Rajoni Qëndror Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Tiranë, pas një hetimi disa mujor ka arrestuar në flagrancë shtetasit Erjon Tafa dhe Laert Barzezi si edhe ka shpallur në kërkim tre shtetas sirianë.

Shtetasit e arrestuar rezultonin administratorë të disa shoqërive, “FM investment”, “Trade investment”, Albania Eksport Medicinal”, “Zaiss Inert”,  dhe përmes tyre kryenin blerje brenda vendit dhe importe në vlera të larta, ndërkohë që shitjet i bënin në mënyrë fiktive dhe në vlera të ulëta duke iu shmangur kështu detyrimeve të shtetit dhe abuzuar me TVSH-në.

Burime për Lexo.al bëjnë me dije se produktet e blera nga këto shoqëri i faturoheshin shoqërive të tjera, aktiviteti i të cilave nuk korrespondonte me atë të shoqërive nën administrimin e z.Barzezi dhe z. Tafa.

Pas informacioneve të marra grupi hetimor pranë zyrës kontabël sekuestroi në cilësinë e provave material gjithsej 10 vula të shoqërive të ndryshme, shtatë pajisje fiskale, blloqe TVSH të pa  plotësuar, mandate dhe transaksione bankare etj.

Sipas të dhënave kjo skemë mashtrimi i shkaktonte shtetit një dëm prej 85,250,000 lekë të reja.

Subjektet e sipërcituar kanë konsumuar elementë të veprës penale: Skemë mashtrimi në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, “Fshehje të ardhurash”, dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve” të parashikuara në nenet 180, 144/a dhe 190/2 të Kodit Penal.

Grupi hetimor po vazhdon me veprimet hetimore dhe proceduriale. /G.Gj/Lexo.al/