Pas konfirmimit të negociatës nga Roma, mediat italiane kanë zbuluar një prapaskenë të bisedimeve mes Xhejms Palotës dhe manjatit amerikan Den Fridkin. “Mbreti” i makinave amerikane ka qenë në kryeqytetin italian gjatë ditëve të fundit me stafin e tij të përbërë prej disa personash dhe ka vizituar zyrat e klubit verdhekuq.

Ideja e tij është të nisë si ortak për të marrë më pas drejtimin. Palota (i cili ndërkohë dëshiron të mbajë mazhorancën) duket se do ta marrë në konsideratë ofertën e Fridkinit, i interesuar fillimisht të mbulojë një rritje kapitali prej 150 milionësh brenda 31 dhjetorit. Në mes qëndron edhe vlerësimi: Palota kërkon 800 milionë, Fridkin ofron 600.

Fridkin është një sipërmarrës 54-vjeçar, i cili biznesin e ka ngritur bashkë me babanë (ka vdekur në vitin 2017) me shitblerjen e makinave. Den është shefi i “Friedkin Group” prej dy vitesh dhe revista “Forbes” e vlerëson pasurinë e tij 4.1 miliard euro. Ky mal me para është ndërtuar falë ekskluzivitetit të tij për shpërndarjen e markës “Toyota” në 5 shtete si Teksas, Arnkansas, Luiziana, Misisipi dhe Oklahoma për një total prej 154 koncensionarësh.

Den ka trashëguar nga babai pasionin për aeronautikën dhe në vitin 2017 provoi që të blinte skuadrën e basketbollit Hjuston, por u parakalua nga Tilman Fertita. Megjithatë, impianti sportiv ku zhvillon ndeshjet kjo skuadër ka emrin “Toyota Center”, pikërisht prej grupit të Fridkin. Roma është në një fazë tranzicioni dhe është e hapur për ndonjë ndryshim pronësie. Palota ka pasur kritika të shumta nga tifozët verdhekuq.