Një familje në Vietnam po kalon orë tmerri, pasi kanë dyshime se mes 39 personave, që u gjetën të vdekur brenda kamionit frigoriferik në Essex, mund të jetë edhe vajza e tyre.

Familja publikoi mesazhin e fundit nga Phạm Thị Trà My, e cila thoshte se nuk merrte dot frymë dhe kërkonte ndjesë. Mesazhi, i përkthyer në anglisht nga një i njohur i familjes, mbërriti në Vietnam në orën 4.28 të mëngjesit të së mërkurës (sipas orës lokale); ose ora 22:28 në Mbretërinë e Bashkuar, që do të thotë sipas “The Guardian”, vetëm katër orë para se të telefonohej ambulanca dhe të zbuloheshin kufomat.

Të afërmit po kërkojnë dëshpërmisht informacion për 26-vjeçaren, shkruan e përditshmja britanike.

Raportet fillestare nga policia kishin sugjeruar se të gjitha viktimat besohej se ishin kineze. Megjithatë, në një deklaratë të lëshuar së fundi, ajo tha se “ndërsa hetimet vazhdojnë, të dhënat mund të ndryshojnë në lidhje me identifikimin”.

Ndërsa policia nuk ka konfirmuar ende identitetin e atyre që ishin në rimorkio, frika e familjes nxjerr në pah vështirësitë në marrjen e informacionit për personat e trafikuar.