Faleminderit të gjithëve që jeni prezent edhe sot në këtë deklaratë për media. 2 ditët e fundit nuk ishin të lehta. Fatmirësisht, këtë situatë të pazakontë e kaluam me asnjë humbje jete njerëzish, por vetëm me dëme të vogla e të riparueshme materiale.

Ashtu siç e raportuam edhe mbrëmjen e djeshme, dita e sotme ishte ditë pushimi për nxënësit e arsimit parauniversitar në Qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit – ndërkohë ditën e nesërme fillon normalisht procesi mësimor.

Bëj me dije se dita e sotme e pushimit për nxënësit e zonave në fjalë, do të zëvendësohet në të ardhmen me një ditë tjetër. Për datën se kur do të bëhet zëvendësimi, vendosin zyrat arsimore në vijim.

Nga verifikimet në terren që janë bërë në mënyrë të vazhdueshme nga ekipet e MASR, zyrave vendore arsimore, në bashkëpunim edhe me inxhinierët e njësive bashkiake – kemi konstatuar se në të gjithë territorin e vendit godinat e shkollave janë kryesisht te padëmtuara dhe plotësisht të gatshme për mësim.

Janë vetëm dy objekte shkollore – të dyja shkolla vartëse në fshatra – një në Berxullë (Vorë) dhe tjetra në Allgjatë (Tiranë) – të cilat ditën e nesërme nuk do të hapen për efekt sigurie, por nxënësve të këtyre dy shkollave i kemi siguruar transportin për në shkollat qendër ku do ta vazhdojnë mësimin nga nesër e tutje.

Ndërsa 98 shkollat e tjera të cilat kanë pësuar dëmtime të lehta me plasaritje të vogla në fasadat e mureve, janë rregulluar që ditën e dielë nga ekipet e bashkive dhe ditën e nesërme riçelin dyert për mësim.

Duke shpresuar maksimalisht që të gjithë – si nxënës, si prindër – të jeni shumë të qetë sot, është koha që nesër të rikthehemi në ditët tona normale.

E deklarova edhe dje, mësimi rifillon nesër me shfaqjen e një video informuese të ndërtuar nga “Save the Children” në lidhje me masat që duhen ndërmarrë në rast tërmeti. Është video e animuar me disa personazhe fëmijë që kujdesen për vete në rast tërmeti.

Katër gjërat kryesore që i mësojmë nga kjo video:

– gjatë lëkundjeve NUK duhet vrapuar jashtë godinës, por duhet gjetur një vend i sigurtë brenda dhomës (p.sh nën tavolinë) për të qëndruar deri sa të kalojë lëkundja;

– pasi pushon lëkundja, duhet të siguroheni që jeni mbathur më këpucë që mbulojnë këmbën (të parandalojmë lëndime në këmbë në rast se ka xhama të thyer);

– duhet mbuluar koka me një jastëk apo libër dhe ngadalë duhet dalë nga ndërtesa – pa vrapuar dhe duke ruajtur qetësinë;

– në rrugë, nuk duhet të qëndrohet nën dritaret e shtëpive, sepse mund të bjerë diçka nga lartë.

Video informuese do të shpërndahet që në orën e parë të mësimit dhe do të diskutohet në lidhje me këto masa.

Prapë në kuadër të mirë-informimit, bashkërisht edhe me Ministrinë e Mbrojtjes, jemi duke hartuar njëkohësisht të tjera materiale edukative për shkollat në mënyrë që secili të ndjehet i pajisur me informacion që do t’i ndihmojë në përballimin e situatave të tilla në të ardhmen.

Janë situata që nuk janë në dorë të askujt prej nesh, por së paku secili prej nesh duhet të jetë i përgatitur që momentet e panikut dhe emergjencës t’i menaxhojë në nivelin maksimal të mundshëm e t’i përballojë me sukses ato.

Sepse siç u raportua edhe dje, lëndimet qe kishin pësuar qytetarët të shtunën, ishin lëndime të shkaktuara nga situata e stresit dhe panikut.

Nuk ka më vend për panik apo ankth! Po shohim që situata është drejt normalizimit dhe dita e nesërme do të jetë një ditë po normale për procesin mësimor apo për punën!

Une gjej rastin të dënoj edhe një rast të paprecedentë, atë të mbrëmjes së djeshme të përhapjes së një lajmi të rremë “parashikues” të një tërmeti tjetër, i cili shtoi më tepër panikun e ankthin tek njerëzit!

Organet e drejtësisë po merren me ata që publikuan lajmin e rremë, ngaqë njoftimet e rreme që përhapin panik janë të dënueshme me ligj.

Ajo që duhet të mbajmë në mend është se TËRMETET NUK MUND TE PARASHIKOHEN ASNJËHERË! – ndaj lajme të tilla në të ardhmen, ju lutem mos t’i merrni seriozisht.

Rasti i mbrëmshëm na dha sinjal të fortë neve si Ministri e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që duhet urgjentisht të ndërtojmë kurrikulat për edukimin mediatik të nxënësve, në mënyrë që t’i pajisim ata me informacione se si të bëhet dallimi i një lajmi të rremë nga një lajm i vërtetë.

Flasim vazhdimisht se si lajmet e rreme cënojnë demokracinë. Por në fakt, dje u dëshmua që ato cënojnë edhe sigurinë e qytetarëve dhe duhet luftuar me çdo kusht.

Çfarë na mësojnë vendet që kanë të zhvilluara kurrikulat për alfabetizmin mediatik?

Të mbështetemi tek burimi i informacionit. Nëse shihni një lajm bombastik, gjendet në një portal anësor si ai i mbrëmshmi, mos e merrni seriozisht. Shihni televizionet kryesore për të konfirmuar lajmet shqetësuese. Pra, mbështetuni tek burimi i informacionit dhe mos besoni gjithçka që botohet në portale.

Për fund, dua ta përsëris edhe njëhere: jemi plotësisht gati për rifillimin e mësimit në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Si dhe, do t’i pajisim nxënësit me informacion se si të evitohen lëndimet gjatë fatkeqësive natyrore që mund të ndodhin në të ardhmen.