Kthimi i parakohshëm i Paulo Dybala nga pushimet krijoi përshtypjen se negociatat midis Juventusit dhe Manchester United për Romelu Lukaku, duke përfshirë yllin argjentinas në shkëmbim, ishin më shumë sesa një mundësi hipotetike e merkatos. Kjo gjë ishte evidentuar në dritën e kontakteve të shpeshta midis dy klubeve. Sidoqoftë, nuk është bërë ende përballja midis “Joya” dhe Maurizio Sarrit. Ish-lojtari i Palermos nuk ishte dje në qendrën stërvitore të Continassa, por nuk përjashtohet mundësia që palët të përballen sot, ndoshta edhe me Fabio Paratici në tryezë.

Menaxheri i Juventusit po mundohet ta bindë argjentinasin të pranojë destinacionin anglez. Për arkën e Juventusit do të ishte një fitim i bujshëm kapitali, një përfitim kryesisht ekonomik dhe më pas teknik. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, rikthimi i Dybala në grupin bardhezi ishte caktuar më 5 gusht (së bashku me Alex Sandro), por argjentinasi ka zbarkuar dje në Torino. E ardhmja e tij është në diskutim. Megjithatë, së pari, lojtari duhet të ndryshojë mendje.

Siç është raportuar nga “Independent”, në fakt, Dybala ka dyshime serioze për projektin e Manchester United dhe mundësitë e ringjalljes së klubit nga “Old Trafford”, i cili këtë vit nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, pasi e ka përfunduar sezonin e kaluar të Premier League në vendin e gjashtë. Për ta bërë operacionin edhe më të komplikuar ka menduar vetë argjentinasi, që ka kërkuar pagë mbi 10 milionë euro në sezon.

Drejtori i “Djajve të Kuq” është ndalur te shifra e 8.5 milionë eurove në sezon. Për më tepër, reduktimi me 25% i pagës (i vetmi i përjashtuar duhet të jetë Pogba) në rast të dështimit për t’u kualifikuar në Champions, nuk do të ishte veçanërisht i mirëpritur nga Dybala. Po Lukaku? Belgu dëshiron Italinë dhe konsideron se përvoja e tij në Angli përfundoi, por pa “ok” e Dybala nuk do të ketë “tym të bardhë”. Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e të dyve.