Kryeministri Edi Rama në një takim me qytetarët për ‘Bashkëqeverisjen’ u shpreh se në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm në shërbimet që u ofrohen qytetarëve do të krijohen lehtësira. Vërtetimet apo dokumentet shtetërore që do t’u duhen qytetarëve, kryeministri Rama tha se do t’i marrin nga administrata që është punësuar enkas për atë punë.

“Do të heqim kërkesën për qyteëtarët që të sjellin dokumente shtetërore. Do të thotë që nëse bën një kërkesë dhe për këtë duhen 20 dokumente, 1, 2, 3 janë private, si përshembull vërtetim bankar, vërtetim nga vendi i punës në privat, nga çfarë institucioni tjetër privat të duhet, do ti gjesh vetë. Ndërsa dokumenta që janë shtetërore do ti gjejë për qytetarin ata që rrinë atje te sporteli dhe janë mësuar vetem ti thonë qytetarëve ‘he po këtë’”, deklaroi kryeministri.

Më tej Rama u shpreh se Qendra Kombëtare Biznesit nuk do të presë më qytetarë për regjistrimin e biznesit, por tashmë do të nisë regjistrimi online i subjekteve. “Jam i sigurtë që brenda 6 mujorit në do ta mbyllim këtë proces. Nuk do i themi më njerëzve shkoni te QKB që të regjistroheni. Nuk do ketë më QKB me derë të hapur, por biznesi do regjistohet nga shtëpija drejtpërdrejtë”, tha kryeminsitri.