Nga Mero Baze

Presidenti Ilir Meta po përpiqet të krijojë një frymë diversioni për raportet e tij me shumicën, që ka nisur procedurën për shkarkimin e tij. Gjuha korrekte gjatë seancës para Komisionit Hetimor, gjestet etike të drejtuesve të Kuvendit dhe mungesa e ndonjë “përleshje” në sallë, duket se prodhuan lajm si sjellje normale dhe presidenti dukej i kënaqur me këtë gjë. Në fakt, kishte kohë që prodhonte lajme, vetëm si anormal.

I vetmi moment kur ai humbi qetësinë, nuk ishte salla e Kuvendit, por tek zyra e tij diku nga mbrëmja, kur zëdhënësi i tij bëri një postim, i cili, në përpjekje për të qenë satirë ndaj një dale live tek Fevziu, të Alfred Pezës, ishte më shumë një shenjë e fortë dëshpërimi, që po i dekonspironte diversionin që kishte nisur me normalitetin në seancën hetimore.

Gjithë ai seriozitet në sallë, gjithë ajo etikë, gjithë ai luks i të priturit në zyrë, u zhbënë papritur me një gjuhë vulgare lacash, që i kujtonin gazetarit, historitë e tij si deputet me premtime elektorale, a thua se dje ishte dita kur Fred Peza duhet të jepte llogari, përse nuk çoi në Peqin akademinë e Lacios në futboll.

Në fakt, arsyeja ishte më e fortë se kjo. Ajo që Ilir Meta nuk duhet të dëgjonte dje mbasdite, ishte një zë nga Partia Socialiste, që i numëronte gjithë broçkullat që tha para Komisionit, dhe që kërkonte shkarkimin e tij.

Ai ishte i interesuar për regjinë që kishte ngritur në kokën e tij, për etikën në sallën e Komisionit, kafen me kryetarin, pastaj përcjelljen, e më pas “jehonën” në shtypin e tij si seancë normale, dhe sidomos zërat për diversion rreth një pazari me Ramën.

Fakti që një zë zyrtar nga PS foli ne nje TV publikisht kundër tij dhe që e prishte këtë histori diversioni, e banalizoi për dy minuta seriozitetin dhe “normalitetin” e presidentit. Atij ju desh të ripërtypte pyetjet që ju bënë në Komision dhe t’u ripërgjigjej në Facebook, duke vazhduar me sulme ndaj Alfred Pezës, që është ndërkohë sekretar në PS, vetëm se ky i prishi magjinë e diversionit të normalitetit.

Madje kjo Presidencë nuk do mbahet mend aq shumë për lajthitjet shëndetësore të Ilir Metës, se sa për këshilltarët e tij që dalin e mbrojnë marrëzitë. Rasti i parashikimit të tërmetit apokaliptik nga presidenti, mund të ishte toleruar dhe si humor për shembull, por dalja të nesërmen e këshilltarit, që u kërkonte llogari ministrave përse nuk marrin masa për tërmetin, është rast më shumë se klinik për presidentin.

E njëjta gjë ndodh me sulmet që zyra e tij i bën shtypit, me një gjuhë që tregon presidentin e vërtetë.

Dje mbasdite kjo ishte më e qartë se kurrë, pas fasadës etike në Komision. Dhe nuk ishte ndonjë inat personal me Alfred Pezën. Aq më pak ka rëndësi, se çfarë mendon Ilir Meta për të, apo ai për Ilir Metën. Rëndësi kishte fakti që të mos prishej misteri i diversionit për një pazar të tij me socialistët.

Ndaj nuk e mbajti dot etikën deri në darkë. Nuk i hynte më në punë dhe e prishi magjinë e “normalitetit”, që shtoi dyshimet se ishte pazar.