Policia e Shtetit ka shtyrë deri në datën 15 shtator 2019 afatin për aplikimet për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë.

Shtyrja e afatit lidhet me kërkesat e shumta, adresuar Policisë së Shtetit, për shkak të përmbylljes së diplomimit të një numri të madh studentësh në këto javë, që kanë shprehur dëshirën për të konkurruar dhe bërë pjesë e Policisë.

Në përfundim të kursit, studentët do të bëhen pjesë e strukturave të hetimit të Policisë së Shtetit dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar.

Plotësoni formularin online në linkun: http://aplikime.asp.gov.al/apply

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është zgjeruar edhe mundësia për dorëzimin e dosjeve, ku veç Drejtorive Vendore të Policisë, aplikantët mund t’i dorëzojnë ato edhe pranë Komisariateve që janë pranë çdo njësie vendore.

Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të Arsimit të Lartë janë 100. Kandidatët duhet të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, ekonomike (degët ekonomi, financë) ose në shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë).

KRITERET E PËRGJITHSHME
Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë: të jenë shtetas shqiptarë; të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil; të kenë zotësi të plotë për të vepruar; të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën;

të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje;
të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;
të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

KRITERET E VEÇANTA
Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë: të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë);

të jenë nën moshën 30 vjeç; të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”; të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat; të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT;

Aplikimet bëhen deri në datë 15 shtator 2019, dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

PROCEDURA E PËRZGJEDHJES
Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë: Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njëjtën fushë studimi; Vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;

Intervistimi i aplikantëve;

Kontrolli shëndetësor;

Marrja e shenjave të gishtave;

Verifikimi përfundimtar i aplikantit;

Ky është kursi i dytë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit!