Koha ka ngrirë në Hyde. Një titull “Pubi i Vitit” është varur me krenari në “The Sportsman” në Mottram Road, por ai çmim është dhënë dy dekada më parë.

Pak gjëra kanë ndryshuar që atëherë…

Në fund të rrugës është qendra stërvitore e Hyde United e rrethuar me kangjella metalike. Në fund të saj, gjen shishe birre të përdorura dhe shkurre që kanë dalë jashtë kontrollit.

Sipër, pranë fushave, është Pete O’Brien Lounge, ku drejtuesit e klubit dhe arbitrat mblidhen sa herë që ka ndeshje.

Teksa vetëm katër kilometra e gjysmë Gabriel Jesus ka kaluar në avantazh Manchester City-n në Etihad, klubit vendas i duhet një mrekulli, ose dy tre lojtarë si Jesus për të mposhtur kundërshtarin e radhës në kategorinë e shtatë.

Hyde United i duhen rreth 220,000 deri 270,000 euro në vit për të qëndruar larg falimentimit. Aq merr afërsisht në javë një rezervë e Manchester City-t. Kontrasti është i madh, por ka shenja në muret e qendrës stërvitore që tregojnë lidhjen mes dy klubeve.

Man City dhe Hyde formuan një partneritet më 2010, që lejoi klubin e Premier League të staciononte lojtarë të ekipit rezervë dhe të moshave të luanin në stadiumin Ewen Fields teksa po ndërtohej kompleksi i ri 240 milionë euro në Beswick.

Shumë shpejt, emri i sponsorit kryesor të City-t, Etihad Airways, u vendos në muret e stadiumit. Emblema e City-t ishte pas asaj të Hyde në majë të tribunës kryesore. Ngjyra e mureve akoma i shkon karrigeve që instaloi Man City.

Në një mënyrë, Hyde i detyrohet shumë City-t, pasi një moment, klubi ishte në vështirësi të mëdha financiare, por në vitin 2008, tifozët e City-t dhuruan aq para sa kishin mundësi gjatë një ndeshjeje që u zhvillua ditën e hënë.

Por kapitali shtesë, fusha e rinovuar dhe rregullime të tjera që premtoi City nëse të rinjtë e tyre do të kishin mundësinë të përdornin Ewen Fields për disa vite do të thoshte se Hyde United eventualisht mund të fitonte 270,000 euro dhe të kishte ambicie më të mëdha sesa thjesht mbijetesa.

Këto ishin para që i hoqën identitetin klubit amator. Në fillim, “United” u hoq nga emri i klubit për të mos u dukur sikur Hyde kishte lidhje me Manchester United. Muret u lyen nga të kuqe në blu, po ashtu edhe emblema u kthye nga e kuqe në blu.

Tifozët e kuptonin nevojën e dëshpëruar të Hyde për para, por shumë u tërhoqën pasi ekipi po sakrifikonte identitetin. Falë ndihmës së madhe që i dha City, jo vetëm financiarisht, por edhe për sa i përket prestigjit të klubit, Hyde u ngjit në Conference Premier (kategoria e pestë), dhe qëndroi aty për dy sezone.

Megjithatë, pasi City u shpërngul në qendrën e re stërvitore, Hyde ishte në rënie të lirë. Skuadra grumbulloi vetëm 10 pikë në sezonin e dytë në kategorinë e pestë, 41 pikë më shumë duheshin për të qëndruar aty.

City u largua, si të thuash, nga dera e pasme përpara se të përfundonte partneriteti pesëvjeçar. City i kishte marrë ato për të cilat kishte nevojë, një premtim i pashkruar për të luajtur miqësoret para-sezonale në Hyde nuk është mbajtur që nga viti i tretë.

Që nga ai moment klubi amator është zhdukur nga radarët. Gjithsesi, kohët e fundit drejtuesit kërkojnë ta shfrytëzojnë për mirë klubin amator të futbollit. Është hapur një kurs ku lojtarët e akademisë mund të marrin diploma në fusha të ndryshme.

Drejtuesit kërkojnë të menaxhojnë me më tepër përgjegjësi klubin, por ndryshimi më i madh në identitetin e Hyde, ishte të rregullohej situata. City mbase nuk ka nevojë për Hyde, por as Hyde tashmë nuk ka nevojë për ta.