Nga Ilir Mborja/

Tek “Pallati i Drejtësisë”, ndërtuar rishtaz pranë ish Fushës së Aviacionit në Tiranë, bie në sy një mungesë. Askush s’ka menduar të sjellë aty një top apo një tank.

Të paktën, George Soros-it nuk i falet kjo gjë. Ai, dikush nga stafi, apo djali i tij që viziton shpesh Shqipërinë, nuk duhet të harrojnë presidentin tonë Ilir Meta, kur, më 2 korrik, para kamerave deklaroi: “Kam dy fjalë për miliarderin Soros: Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit, është presidenti i vendit dhe i del për zot vendit. Jam i racës së tipit Avni Rustemi, Mic Sokoli, Vojo Kushi.”.

Që presidenti ynë Ilir Meta nuk është lepur që t’ia mbathë nga frika e burgut si Gruevski dhe e gjithë raca e tij(?!) kjo as që mund të vihet në diskutim. E tha vetë: Ai (veç Salvador Allendes) është politikan i tipit edhe si i tre heronjve shqiptarë që përmendi.

Në fakt, Ilir Meta, mbetet t’i ngjajë e të veprojë vetëm si dy prej tyre. Rasti që të veprojë vetë si Avni Rustemi përjashtohet. Esad Pasha nuk u paralajmërua kurrë nga atentatori i tij, siç u paralajmërua Sorosi më 2 korrik të 2019-s “me dy fjalë” nga Ilir Meta. Prandaj, më 13 qershor të 1920-s, Esad Pasha doli serbes nga holli i hotelit “Kontinental” në Paris duke marrë peshqesh dy plumba prej kobures së Avni Rustemit. Prandaj, tashmë, rasti i Avni Rustemit, përjashtohet se, miliarderi Soros, sapo dëgjoi kërcënimin e Ilir Metës, shtoi rojet e masat e sigurisë dhe, që nga ajo ditë, nuk bën asnjë hap më për të dalë nga rezidenca e tij diskrete…

Tani Ilir Metës i mbetet të veprojë vetëm si Mic Sokoli apo Vojo Kushi, por për t’u vetëflijuar heroikisht si ata, presidentit tonë i duhet një top që t’i verë gjoksin, ose një tank, që t’i hidhet sipër kur ta rrethojë SPAK-u…

Por problemi është se në Shqipëri nuk ka më asnjë top e asnjë tank. Ç’mbetën nga ato që na lanë rusët e kinezët, pas ’97-s, kur Pandi Majko ishte ministër i Mbrojtjes, i shiti për skrap… Tani, mbetet që Sorosi, ose edhe amerikanët, të cilët, me thënë të vërtetën, kanë shpenzuar jo pak për reformën në drejtësi si edhe për ngritjen e SPAK-ut, t’i dhurojnë presidentit tonë një top ose një tank…

Nuk bëhet qameti. Po të jetë se ngushtohet Sorosi për kaq gjë, ne mund t’ia kthejmë mbrapsht sapo të mbarojë punë presidenti ynë… Nëse nuk ndodh kjo dhe Sorosi tregohet cingun për kaq pak gjë, Ilir Metës pastaj i mbetet të vetëflijohet vetëm si Allende. Me plumb…

Por, plumbi i pistoletës pastaj, veç Sorosit, kompromenton NATO-n, CIA-n, FBI-në, Amerikën, Shtëpinë e Bardhë, madje dhe vetë Trumpin. Lëre pastaj ç’ngatërresa i sjell historianëve kur të flasin për vetëflijimin e Salvador Allendes së shkretë, që gjithsesi, nuk e përfoli kush për vjedhje… Prandaj, vetëm një top ose një tank i dhuruar nga Sorosi, jo vetëm që i nxjerr palagur të gjithë të tjerët nga kjo histori dhe i kthen lirinë e plotë miliarderit, por, ndërkohë, nxjerr “faqebardhë” edhe “trimin” tonë hajdut..