Nga Ilir Beqaj

U mbushën 13 ditë nga përjetimi i një dramë të rëndë kombëtare. Tërmeti i 26 nëntorit mori 51 jetë shqiptarësh të pafajshëm, plagosi me qindra të tjere dhe la pa strehë mbi 12 mije persona.

Edhe pse vëmendja e opinionit shqiptar, përfshirë edhe botën shqiptare anëembanë, është e mbërthyer te pasojat e kësaj ngjarjeje shkatrrimtare dhe te përpjekjet e gjithëanëshme të fillimit të rindërtimit, duket se afrimi i fundvitit ka sjellë në pah, siç ndodh tradicionalisht, përzgjedhjen e personazhit të vitit 2019.

Një numër mediash, forumesh e organizatash po fillojnë të mbledhin vota dhe propozime konkrete, në lidhje me personazhin e vitit që po lemë pas. Dëshëroj dhe unë që modestisht të sygjeroj personazhin e vitit 2019: Spitalin Universitar të Traumës. Jo një person të caktuar, jo një figurë publike, as politikan, as sipërmarrës, as gazetar apo njeri të artit e kulturës: një institucion që duket se përfaqson më të mirën e asaj që përjetuam në vitin që po mbyllet.

E bëj këtë propozim sepse më duket se emri i këtij spitali është i lidhur me të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të 2019.

Gjysma e parë e vitit u dominua nga ngërci politik. Bashkë me ngërçin politik Tirana ka përjetuar 10 protesta jo të zakonshme, të cilat prodhuan stres dhe përplasje, disa herë të ashpra e fizike.

Kurse gjysma e dytë e vitit është dominuar nga dy tërmete jo të zakonshëm. I pari, në shtator drithërues, ndërsa i dyti shkatërrimtar dhe me 51 fatalitete.

Spitali Universitar i Traumës ishte përherë aty. Edhe në këto momente kyçe, por edhe në përditshmërinë që pakkush e sheh, por që është e mbushur me përballimin e një volumi sfidues e shpesh të jashtëzakonshëm situatash, jo rrallë mes jetës dhe vdekjes. SUT ja ka dalë të jetë një institucion në lartësinë e emrit që ka, Qendra Kombëtare e Traumës së vendit.

Kanë spikatur profesionalizimi, përkushtimi, përulësia dhe humanizimi i të gjithë stafit të mrekullueshëm të këtij institucioni. Heronj të heshtur të ditëve tona!

Do të ishte e padrejtë të veçoja cilindo nga mjekët, infermierët e personeli teknik i SUT. Prandaj sygjeroj që personazh i vitit 2019 të shpallet Spitali Universitar i Traumës.