Nga Ardit Rada

Të enjten mbrëma Ilir Meta i ka qëndruar të gjitha deklaratave të tij, që i ka hedhur në publik që prej qershorit me përjashtim të premtimit për dorëheqjen. Për ta justifikuar kolltukun që kërkon të mbajë deri në fund të mandatit, Presidenti nuk e ka përjashtuar mundësinë që Komisioni i Venecias të çmendet. Por problemi më i madh i Ilir Metës nuk është sesi do të justifikohet ai para opinionit publik. Ai i trembet faktit se konkluzionet e Venecias do të përfshihen në raportin e Kuvendit dhe këto konkluzione mund të bindin kundër tij, fjala bie, edhe deputetët ballistë që kanë e kanë mbrojtur deri më sot. Dhe fjala e rëndë që Venecia pritet të sjellë në Tiranë është halli i parë i Ilir Metës.

Në intervistën e një nate më parë kreu i shtetit u përpoq që njollën në CV-në e tij për 21 Janarin ta heqë duke u shfaqur si shpëtimtar i Sahit Dollapit.

Ai gënjeu hapur duke e cilësuar Dollapin si një nga emrat kryesorë të Partisë Demokratike, për t’i dhënë kështu rëndësi veprimit të tij duke i shkuar në spital. Në fakt, nëse Presidenti donte të zbuste dhunën, mund të vizitonte policen Ina Nuka që humbi gishtat e njërës dorë dhe që ishte e detyruar të qëndronte në rreshtin e parë të protestës. Dhe jo dikujt që vajti në protestë me dëshirën e tij duke e ditur që ka probleme shëndetësore, siç edhe konfirmoi Meta. Por halli i dytë i tij është se si të harrohet vrasja e katër qytetarëve që u çuan kundër tij, me shpëtimin e një ‘eksponenti të rëndësishëm të PD-së”.

Kështu, Meta kërkon një tjetër përfundim të fabulës. Përfshin në akuza ambasadorët duke i quajtur palaço, juristët e Venecias si të çmendur e të tjera si këto. Dhe në tentativë për t’u dukur ende sikur është mbi palët, në retorikën që përdor shpesh e quan bashkëshorten e tij dhe Lulzim Bashën si të papërgjegjshëm dhe gënjeshtarë Whatsapp-esh. Por kurrsesi nuk i fajëson as për gishtat e Inës dhe as për skenarin sekret të 8 Qershorit.

Sot, hallet që ka ai nuk mbulohen dot me gënjeshtra. As me sulmet që nisin me gazetarët e përfundojnë me trupën diplomatike. Apo siç thotë ish-populli kokëpalarë i Ilir Metës: Dielli nuk mbulohet me shoshë.