Nga Drini Kuqo/

Përgjatë kësaj jave, pak e kanë kuptuar se çfarë ka ngjarë me politikën shqiptare. Akuza dhe kundërakuza, filmime të reja dhe të vjetra, që miksohen midis tyre me një shpejtësi që lë shpesh edhe vetë protagonistët e këtyre ngjarjeve të papërgatitur për atë që po ndodh, lërë më pas qytetarët e zakonshëm.

Kanë kaluar vetëm pak ditë nga seria e radhës e serialit “Babale”, por që prej atëherë, në këtë valle filmimesh janë përfshirë personazhë të rinj, shumë emra nga të cilët nuk i thonë asgjë një publiku jo të vëmendshëm ndaj politikës, Florenc Hoxha, Fredi Alizoti, përsëri Babalja, Sali Lushaj, përsëri Ervin Salianji, Taulant Balla, Ardi Veliu, e kush ka emra të tjerë, le t’i shtojë në radhë.

E gjithë kjo lukuni informacioni nuk është e rastësishme. Pas bllofit të provuar nga Prokuroria Shqiptare dhe ekspertiza britanike, që provuan përtej çdo dyshimi se zëri i vëllait të Ministrit ishte luajtur nga Alizoti, Partia Demokratike ka kaluar në të ashtuquajturën “damage control”, e është duke lëshuar përditë filmime e prova të reja, me synimin e shkëputjes së vëmendjes nga e vërteta gjë që dimë deri tani: Inskenimi!

E në këtë lojë, shumë gazetarë apo qytetarë të tjeshtë tërhiqen me vete, e shpejtësia që përditë dalin akuza e kundërakuza i lë pas dhe i turbullon mendjet.

Ky është një gabim që nuk duhet ta bëjmë. Të gjithë ato që u thanë këtë javë, provat e reja janë elemente të mirëpritura, të cilat ashtu si provat e para duhet të hetohen deri në fund.

Veçse tani për tani, ato nuk janë asgjë më shumë se disa flluska sapuni. Kur të dimë diçka të provuar me siguri, ia vlen të ndalemi tek të gjithë personahet e lartpërmendur, por kjo kushtëzohet nga një nëse, nga një çengel i vendosur mbi një të ardhme politike që askush nuk të parashikojë.

Ajo që ka rëndësi të flasim në këtë moment, janë ato elementë të së vërtetës, që i dimë me siguri. Dimë me siguri se Ervin Salianji ka folur me Babalen, i ka premtuar atij dhe Alizotit 100 mijë euro për kokë dhe dimë se video e parë, ajo që nisi gjithë këtë histori, ishte e gjitha një aktrim.

Dimë gjithashtu se Alizoti e Babale janë në burg, e se edhe vetë Salianji rrezikon t’u bashkohet brenda. Të tjerat, le të presim që t’i mësojmë, por gabimi që nuk duhet të bëjmë tani, është që të lëmë të vërtetën, që edhe një herë më shumë të errësohet nga vorbulla ku ajo rrezikon të përfshihet.

Le të marrim një herë përgjigje për këto, pastaj shohim dhe të tjerat me radhë.