Nga Erjo Mile/

Shumëkush sot i bën vetes pyetjen “ por tani çfarë do të ndodh ?”. Opozita i dogji mandatet e saj të fituara me mund, sipas saj. Nuk e di pse diçka e fituar me aq mund, sipas opozitës, duhet të hidhet në koshin e plerave. Aq më tepër unë se kuptoj si një “demokrati” të ndershëm që ka votuar partinë demokratike mundet ti thuhet: “faleminderit që na besove ne të të përfaqësonim ty në pushtetin më të lartë, faleminderit që na besove vullnetin tënd, faleminderit që pushtetin tënd na e delegove ne, por ne po ikim, dhe po të lemë pa përfaqësi, ose akoma me keq ne po e lëmë besimin,vullnetin dhe pushtetin tënd në mëshirë të fatit që ty të të përfaqësoj lloj-lloj sorollopi”. Çdo demokrat i ndershëm, jo militant, por votues ndihet sot i ofenduar sipas mendimit tim.

Por problemi qëndron më thellë, problemi qëndron tek Sherri i Budallait. Keni dëgjar ndonjëherë për sherrin e budallait ?

Sherri i budallait është i papritur, imediat, shpërthyes, pa ndonjë arsye serioze, kryesisht për çështje të mbyllura ose problematika të imagjinuara dhe që ashtu rrufeshëm shpërthen në veprime ekstreme dhe të pakuptimta. Për fatin e keq tonin kjo i ndodhi dhe Opozitës sonë, prandaj i dogji dhe mandatet. Pas dy viteve, pas një pakti dypalësh, pasi morri gjysmën e qeverisë parazgjedhore, numrimit dhe çertifikimit dypalësh të zgjedhjeve, një jetë parlamentare të ndezur, ku pamë në parlament çizme të fluturonin, miell e vezë të hedhura sa andej këndej, sharje, spërkatje me bojë suratit jo për të njollosur po për t’i nxjerrë sytë kundështarit, Opozita u çua një ditë dhe tha: “Më duket se ti më ke vjedhur zgjedhjet para dy viteve”! Në fillim të gjithë qeshën por pastaj e kuptuam që e kishin seriozisht, domethënë që jo se e besonte vet, por që do t’i qëndronte këtij absurdi seriozisht.

U munduan ndërkombëtar dhe jo ndërkombëtar, kundështar dhe jo kundështar t’i bëni të arsyetonin, që të kuptonin që kjo që thoshin ishte e pakuptimtë, që pasojat do të ishin tepër negative për vendin, për partinë demokratike vet dhe për të gjithë popullin. Por jo, sherri i budallait e kishte marrë rrugën e tij dhe do të bitisej deri në fund. Në mënyrë paradoksale, partia demokratike prishi sistemin demokratike të Republikës së Shqipërisë dhe morri rrugët.

Në fakt qeveria u kap e papërgatitur, edhe socialistët nga i pari tek i fundit u kapën të papërgatitur. Sy-shqyer e gojë-hapur ata dëgjonin Monikën që ankohej e akuzonte se asaj dhe LSI-së, partisë më të moralshme, që s’ka lidhje as me vjedhjen dhe as me blerjen e votave, madje as e di fare çfarë janë këto gjëra, i ishin vjedhur votat.

Socialistët në vitin e tyre të gjashtë të qeverisjes, që shkencërisht është viti më i vështirë i çdo qeverisjeje, po përgatiteshin të përballeshin sërisht me votuesit e tyre për t’i shpjeguar ambiciet dhe vështirsitë, reformat dhe arritjet, si dhe të përballeshin me Opositën e alternativën e saj të re duke rritur rritmin e alternativës së saj. Por përsëri u kapën të papërgatitur. Në kohën që prisnin shpalosjen e programit dhe alternativës së Opozitës, kjo e fundit u çua nga tryeza e parlamentit, dhe i akuzoj për vjedhje votash, madje jo vetëm të atyre të dy viteve më parë por edhe të këtyre zgjedhjeve që nuk janë bërë akoma. Argumenti i tyre ishe më absurd se vetë akuza; “Ju vidhnin dhe bini vota, kështu duhet të jetë me patjetër se nuk ka se si shpjegohet që ne spo fitojmë as një herë dhe gjithmonë fitoni ju. Kështu ne po çohemi dhe po ikim, po dalim nga parlamenti, po protestojmë dhe lyejmë me bojë institucionet, thyejmë xhama dhe çpojmë goma makine siç ka thënë dhe Luli, bëjmë xhiro nëpër bulevarde, protestojmë për tenderat e rrugëve duke përfshirë edhe atë Durrës-Kukës, ankohemi për dhunë ndaj protestuesëve që kanë të drejtën të protestojnë të lirë si në 21Janar, madje kërkojmë hetim për të gjitha skandalet e qeverisë, hetim të thellë dhe drejtësi si ajo e Gërdecit.” Dhe Opozita iku… dhe vetë se di se ku! Shpresoj që ata ta dinë. Por e mira e fundit që patriotët opozitar na bënë ishte që vunë në rezik sistemin tonë demokratik me përfaqësim të Republikës-Parlamentar, duke shqelmuar parimin check and balance dhe konkurencën e alternativave qeverisëse.

Në garat Olimpike greke, atletët nuk konkuronin me njëri-tjetrin. Parimi i konkurimit Olimpik ka qenë shumë më i ndryshëm nga parimi që ne njohim sot. Çdo atlet Olimpik konkuronte me veten e tij. Ai duhet të tejkalonte rekordin e tij të vendosur katër vite më parë duke arritur një rekord më të mirë. Aktualisht Partia Socialiste është përpara një gare Olimpike, një gare me vetveten, ku i duhet të tejkalojë vetveten dhe duhet të japi më tepër se më të mirën. E në fakt, përballë një Opozite të zhurmshme, pa alternativë dhe pa vision, kjo është një garë shumë herë më dinjitoze. Gara për t’i shërbyer publikut përtej të majtës dhe të djathtës, gara për Shqipërinë Europiane, Gara për Shqipërinë që duam.  (Lexo.al)